Ballina Lajme nacionale Protesta/ Dom Gjergji këshillon Bashën: Jo dhunë, por zgjidh arsyen!

Protesta/ Dom Gjergji këshillon Bashën: Jo dhunë, por zgjidh arsyen!

35
SHPËRNDAJE

PPërmes një deklarate në rrjetin social facebook, Dioqeza Rrëshen që drejtohet nga Dom Gjergj Meta kërkon që të mbahet ne mendja arsyeja, sepse dhuna është kundër arsyes e shpirtit të njeriut. Dhunë është shprehje e dobësisë, thotë Dom Gjergji në postimin e tij.

Ja postimi i plotë në facebook:

Unë, ne këto ditë të vështira, kam një porosi për vëllezërit e motrat e mi të një gjaku. Dhuna është kundër arsyes e kundër shpirtit të njeriut. Dhuna është shprehje e një dobësie, është shfaqja e një instinkti të errët e të fshehur kushedi se ku e për kushedi se çfarë. Çka e fisnikëron njeriun është vetëm kërkimi i paqes për vete dhe për të tjerët, për familjen e tij e për familjet e të tjerëve, për kombin e tij e për kombin e të tjerëve. Mbi dhunën nuk ndërtohet asgjë e mirë, mbi poshtërimin apo sundimin e tjetrit nuk mund të lindë një rend i mirë dhe i jetueshëm për të gjithë.

Dhuna është e keqe dhe ajo është e kundërta e së mirës dhe e të së bukurës. Më kujtohen fjalët e një kënge italiane që thotë: prima di sparare pensa – para se të qëllosh mendo. Dhuna i përket të paarsyeshmes, botës së kafshëve, por jo njeriut që Zoti e ka pajisur me arsye e me dashuri.

Rruga e dhunës është e shkurtër, nganjëherë duket sikur zgjidh gjithçka dhe menjëherë, por bishti i saj është i gjatë e zvarritet për një kohë të gjatë, si bishti i një përbindëshi mitologjik që shkatërron gjithçka që gjen përpara.

Rruga e paqes është e gjatë dhe e mundimshme, por shpërblen. Nuk është e vërtetë shprehja që thotë: nëse do paqen përgatit luftën!

Nëse do paqen përgatit paqen!

Nuk është e vërtetë se çdo kalim apo çdo ndryshim bëhet me dhunë e me konflikt. Jo! Nuk është  e vërtetë!

Çfarë duam të vendosim në themel të rritjes, ndryshimit dhe progresit të vendit tonë? Dhunën apo dialogun? Si duam t’i jetojmë ditët tona e çfarë duam t’u lëmë fëmijëve: qetësinë dhe paqen që vjen nga dialogu apo pasigurinë që prodhon dhuna?

Përpara nesh të gjithëve në këto momente është sfida e madhe e kërkimit të paqes dhe dialogut ndërmjet kundërshtarësh dhe me njëri-tjetrin.

Dhuna nuk sjell ndryshimin e kërkuar. Nuk e solli dhuna që përdorën komunistët pas luftës së dytë botërore e nuk do të vijë as tani nëse ia besojmë jetën dhe zgjedhjet tona dhunës.

Të mendojmë përpara, të ulemi e të shikojmë në sy fëmijët tanë, adoleshentët dhe të moshuarit tanë. Para se të marrim vendimet tona t’i shikojmë ato drejt e në sy. Kanë një fjalë e një mesazh për të na dhënë: jo dhunës, jo nxitjes së saj, jo arrogancës, jo cinizmit, jo gjuhës helmuese dhe përçmuese.

Duam një Shqipëri të paqtë!

-----