Ballina Lajme nacionale Prokuroria çon në gjykatë ish-funksionarët e burgjeve për korrupsion

Prokuroria çon në gjykatë ish-funksionarët e burgjeve për korrupsion

13
SHPËRNDAJE

Dërgohet për gjykim dosja në ngarkim të Arben Çukos dhe disa ish-zyrtarëve të burgjeve për skandalin e korrupsionit në transferimin e të dënuarve. Prokuroria për Krime të Rënda ka paraqitur kërkesën për gjykimin e çështjes penale 339/2 të vitit 2016 në ngarkim të;

-Arben Çukos, ish-drejtor i Burgjeve, i akuzuar për ‘’korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë”

-Qerim Musha, i cili akuzohet  për ‘’korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë”

-Olsi Karagjozi, i cili po vuan një dënim të mëparshëm, i akuzuar për vepren penale ‘’korrupsion aktiv ifunksionarëve të lartë”

-Artur Balla, i akuzuar për vepren penale ‘’korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë”

-Denis Llaftiu, i akuzuar për vepren penale ‘’korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë”.

Prokuroria njofton se nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve; Arben Çuko, Qerim Musha, Artur Balla, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu është konfirmuar veprimtaria e paligjshme. Zyrtarët e burgjeve kundrejt parave kanë transferuar të dënuarin Olsi Karagjozi nga burgu i Burrelit në Fier në shkelje të plotë të ligjit.

Ish-deputetët e PS Arben Çuko dhe Arben Ndoka u arrestuan në kuadër të operacion Volvo 4, por u liruan nga Krimet e Renda me masën e sigurisë në “arrest shtëpie”.

Prokuroria sqaron se dosja e hetimit 339/1 për “trafik droge” në ngarkim të 12 të pandehurve, po hetohet nga gjykata e shkallës së parë për krime të rënda.

Kush është Olsi Karagjozi 

Olsi Karagjozi qëllonte biznesmenët, paguhej nga rivalët.  Shënjestra e tij kanë qenë kryesisht biznesmenët dhe sipërmarrësit e mesëm. Ka kryer pesë atentate ndaj tyre, por asnjërin nuk e ka vrarë. Sulmet me armë dyshohet se janë paguar nga kundërshtarët e të dëmtuarve, ndërsa janë vënë në zbatim nga i akuzuari për pesë tentativa vrasjesh dhe një grabitje. Olsi Albert Karagjozi, 36 vjeç, lindur e banues në Laprakë, i njohur edhe me nofkën “Olsi i Qamiles”.

I dyshuari për serialin e ngjarjeve është vënë në pranga nga policia e Tiranës pas një hetimi disamujor më 12 janar 2013.  Ndaj tij ishin lëshuar disa urdhra kërkimi nga policia dhe nga gjykata për shkak të krimeve në të cilat ishte implikuar.

Seriali i atentateve

Ngjarja e parë për të cilën është akuzuar Karagjozi ka ndodhur më datë 16 dhjetor të vitit 2010 në Tiranë. Sipas hetimeve, për motive të çastit, 36-vjeçari ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. Guçe, duke e plagosur rëndë atë. Për këtë ngjarje Prokuroria e Tiranës që në vitin 2012 ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ngjarja e dytë për të cilën akuzohet “vrasësi me pagesë” ka ndodhur më datë 10 shkurt 2011 në Paskuqan, Tiranë. Sipas Policisë, për motive të dobëta, ky shtetas ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. Skana, duke e plagosur rëndë atë.

Për këtë ngjarje Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për konsumim të veprës penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Seriali vazhdon me ngjarjen e ndodhur më 7 dhjetor 2012 në Prezë të Tiranës. I akuzuari dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasit G. Ciku dhe E. Ziri, duke i plagosur rëndë ata në trup. Kjo ngjarje ka qenë në hetim nga Policia e Tiranës për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Gazeta SHQIP

-----