Ballina Lajme nacionale Profesori Krasniqi thotë se eliminimi i Haradinajt nxit projektet për zhbërjen e...

Profesori Krasniqi thotë se eliminimi i Haradinajt nxit projektet për zhbërjen e Kosovës

25
SHPËRNDAJE

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë.

E profesori i Universitetit të Prishtinës, Milazim Krasniqi, ka thënë se ekziston rreziku i pazareve të reja në dëm të Kosovës pas largimit të Ramush Haradinajt nga Qeveria. Ka thënë se eliminimi i Haradinajt shpie pashmangshëm drejt zhbërjes së Kosovës.

Këto komente i ka dhënë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga Qeveria pasi kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale të shkonte si i dyshuar për krime lufte.

“Pavarësisht prej fatit politik e jetësor, Haradinaj do të mbahet mend që deri sa ishte në detyrë, e pengoi projektin e zhbërjes së shtetit të Kosovës dhe rikthimin e ndikimit rus në këto hapësira. Për karrierën e një politikani, që ka qeverisur me duar të lidhura, është trashëgimi solide. Duke uruar pafajësinë e tij, sot jam shumë më skeptikë se sa dje për ekzistencën e këtij shteti. Vërtet nuk dëshiroj që me asnjë fjalë ta rëndoj gjendjen edhe ashtu të tejrënduar, por kam frikë se nëse ndodhë eliminimi politik i tij, do ta hapë pistën e pazareve që Kosovën do ta shpienin pashmangshëm drejt zhbërjes”, ka shkruar Krasniqi në Fb.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR.

Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

Kohëve të fundit, Haradinaj prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Ëashingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Ramush Haradinaj mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ramush Haradinaj është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.

-----