Ballina Lajme nacionale Presidenti inkurajoj femrat të merren me sport, ndiqni shembullin e Majlindës, Norës,...

Presidenti inkurajoj femrat të merren me sport, ndiqni shembullin e Majlindës, Norës, Distrias

36
SHPËRNDAJE

Edhe në Kosovë po shënohet Dita Botërore e Sportit dhe Mjedisit.

Me aktivitetin e mbajtur në sheshin “Zahir Pajaziti”, Komiteti Olimpik i Kosovës ka shënuar Ditën Botërore të Sportit dhe Mjedisit.

Për dallim nga vitet e kaluara, KOK këtë aktivitet sot e ka mbajtur me femrat sportiste dhe ato që janë të përfshira në fushat tjera të sportit, të cilat kanë qenë të përkrahura nga gratë e suksesshme të Kosovës nga të gjitha fushat.

Të pranishëm gjithashtu kanë qenë figura të larta sportive, politike dhe kulturore, të cilat kanë performuar sporte të ndryshme, të improvizuara në aktivitet, kurse nuk kanë munguar edhe sportistet e tanishme të suksesshme të sporteve individuale, si dhe kampionet dhe fitueset e kupave në sportet ekipore.

Kryetari i KOK-ut Besim Hasani tha se kanë vendosur që këtë aktivitet ta shënojnë me pjesëmarrjen masive të femrave për arsye se ato me të vërtetë e meritojnë të jenë pjesë masive e çdo sporti.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sipas të cilit KOK po vazhdon traditën për të shënuar këtë ditë, por tanimë me femrat sportiste.

Me këtë rast presidenti e ka përmendur kampionen olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendin duke theksuar se çdo sportiste duhet t’i ndjekë hapat e saj.

“Edhe në këtë ditë inkurajoj të gjitha femrat e Kosovës, që t’i ndjekin shembullin e Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës, Distria Krasniqit dhe shumë sportisteve tjera që e kanë ngritur flamurin e shtetit të Kosovës gjithkund në botë dhe e kanë ngritur flamurin e Kosovës duke fituar medalje e arta, pra duke dëshmuar atë më të mirën. Ju duhet të besoni në aftësitë tuaja, aftësitë tuaja kreative në mënyrë që të realizoni ëndrrat dhe potencialet që keni për aspiratat tuaja, aspiratat e shtetit të Kosovës për një imazh më të mirë”, tha presidenti i Kosovës.

Pas aktivitetit të mbajtur në shesh drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës në oborrin e rektoratit të Prishtinës kanë mbjellë pemën olimpike së bashku me rektorin dhe shumë sportiste të sporteve të ndryshme.

-----