Ballina Lajme nacionale Presidenti e kryeministri të ndarë edhe në Berlin e në Bratislavë

Presidenti e kryeministri të ndarë edhe në Berlin e në Bratislavë

31
SHPËRNDAJE

Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj po vazhdojnë të jenë të ndarë në qëndrimet e tyre rreth arritje së marrëveshjes finale me Serbinë.

Dy krerët institucionalë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët sa i përket çështjes së kufijve. Të ndarë në qëndrime Thaçi e Haradinaj po paraqiten edhe në takimet që po i realizojnë me ndërkombëtarët.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj po vazhdojnë të kenë qëndrime krejtësisht të kundërta sa i përket të ardhmes së dialogut, respektivisht përmbajtjes së marrëveshjes finale Kosovë – Serbi.

Derisa shefi i ekzekutivit përsëriti edhe një herë, pas takimit që pati dje me kancelaren gjermane Angela Merkel, se marrëveshja përmbyllëse mes dy vendeve duhet të arrihet në kufijtë ekzistues, kreu i shtetit nuk po resht së insistuari në jetësimin e projektit për korrigjim të kufijve.

Gjatë ditës së djeshme, pak para se të nisej për në Bratislavë, ku do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga “GlobSec”, Thaçi la të nënkuptohet se edhe në Sllovaki do ta ngrejë çështjen e korrigjimit të kufijve, shkruan gazeta “Zëri”.

Në këtë konferencë, që do të mbahet sot, i pranishëm do të jetë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se mosunifikimi i qëndrimeve mes liderëve institucionalë detyrimisht e dëmton pozicionin e Kosovës si në procesin dialogues, ashtu edhe në prezantim të përgjithshëm të vendit.

-----