Ballina Lajme nacionale Premtime pafund, qytetarët pa vaksina!

Premtime pafund, qytetarët pa vaksina!

16
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral - -------

Pas publikimit të korrespondencës së Ministrisë së Shëndetësisë me kompaninë fantome nga Hong Kongu, me reagim ka dalë edhe Aleanca për Shqiptarët. Sipas partisë së Ziadin Selës, dokumenti vërteton skemën kriminale të ministrit Filipçe dhe kryeministrit Zaev. Në këtë vijë kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE, ndërsa Filipçe është arsyetuar se “dokumenti është i rrejshëm”. Në ndërkohë, premtime pa fund se vaksinat do të arrijnë me kohë!

Arbër KADRIU

Shkup, 14 mars – Nga fundi i këtij muajit pritet të arrijnë sasi të mëdha të vaksinave, ndërsa në ndërkohë – vaksinimi për më të moshuarit me vaksinat e dyta po vijon në poliklinikën “Jane Sandanski”. Kështu thonë autoritetet shëndetësore në Maqedoni, ndërsa nuk ka asnjë datë konkrete se kur do të arrijnë vaksinat AstraZeneka nga mekanizmi Kovaks. Deri më tani, kanë arritur 8000 vaksina Fajzer dhe 3000 Sputnik V. Me vaksinat e para vaksinohen dhe rivaksinohen punonjësit shëndetësor, ndërsa vaksinat Sputnik V janë dedikuar për më të moshuarit.

Është kryeministri Zoran Zaev dhe ministri Venko Filipçe të cilët për të disatën herë me radhë deklarojnë se shteti ka porositur rreth 2.350.000 vaksina dhe se pritet nga fundi i këtij muaji të fillojnë të arrijnë sasi më të mëdha. Dështimi me sigurimin e vaksinave ka bërë që të vazhdojnë akuzat dhe kundër-akuzat pushtet opozitë. VMRO-DPMNE edhe të dielën e akuzoi Ministrinë e Shëndetësisë për parregullsitë gjatë furnizimit të vaksinave nga Kina. Deputeti Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE doli me pohime se Ministria e Shëndetësisë në llogari të Stabri Interneshënall, fantom firmë nga Hong Kongu, ka paguar 12.5 milionë euro për 200.000 vaksina. Ai tha se atë e konfirmon dokumenti i dhënë nga Dojçe Bank më 25 janar të vitit 2021, ku duhej të shërbejë për lidhje të marrëveshjes me Sinofarm për blerje të 200.000 vaksinave për nevojat e Maqedonisë, e konfirmon këtë.

Pas publikimit të korrespondencës së Ministrisë së Shëndetësisë me kompaninë fantome nga Hong Kongu, me reagim ka dalë edhe Aleanca për Shqiptarët. Sipas partisë së Ziadin Selës, dokumenti vërteton skemën kriminale të ministrit Filipçe dhe kryeministrit Zaev. “Edhe në këtë kohë krize ku mijëra qytetarë janë të infektuar, kur numri i të infektuarve rritet çdo ditë e më shumë, kur fatkeqësisht edhe numri i qytetarëve që e humbin jetën është në rritje, ministri Filipçe dhe kryeministri Zaev nuk e kanë mendjen që të sigurojnë vaksina në mënyrë të rregullt, por përkundrazi bëjnë pazarllëqe dhe ndërmarrje jashtë çdo norme humane. Është për tu habitur se si kryeministri Zaev, i përdor kompanitë që përmenden në të ashtuquajturat ‘bomba’, nga aktiviteti kriminel i Gruevskit, për të njëjtin qëllim, por tani edhe në kurriz të shëndetit të qytetarëve. Në këtë situatë, gjëja më e logjikshme do të ishte dorëheqja e ministrit Filipçe dhe kryeministrit Zaev, për të mirën e qytetarëve!”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Nga Ministria e Shëndetësisë edhe të dielën i përgënjeshtruan dokumentet, që siç thanë, të rrejshme të plasuara që opozita dhe mediat e afërta me të. Në kumtesë shtohet edhe se në atë “dëshmi” të tyre përmendet shuma e cila është e rrejshme edhe pse duan ta tregojnë si çmim për blerje të vaksinave. “VMRO-DPMNE me vetëdije dëshiron të përfitojë politikisht me një çmim që të prishet marrëveshja për furnizim të vaksinave dhe me një çmim të shëndetit të qytetarëve. Në ndihmë të partisë opozitare janë edhe disa media të cilat për arsye të kuptueshme për ta publikuan të ashtuquajtur dokument, i cili është i rrejshëm, në asnjë mënyrë nuk lidhet me procesin për furnizim të vaksinave, siç duan t’ia paraqesin opinionit”, thekson Ministria e Shëndetësisë. Nga Ministria shtojnë se provizionet e VMRO-DPMNE-së janë pjesë e procedurave penale, të cilat janë në vijim, furnizimet në kohën e tyre kishin shenjë mbrojtëse “firma fantazmë dhe provizione”. Ministria e Shëndetësisë thekson se e vlerëson gazetarinë hulumtuese dhe kritike, kjo është forcë lëvizëse e çdo shoqërie demokratike, por e dënon plasimin e informacioneve të rrejshme. Dikasteri që drejton ministri Filipçe thotë se për një shoqëri demokratike funksionale, është e barabartë përgjegjësia edhe e institucioneve shtetërore dhe e mediave. (koha.mk)

The post Premtime pafund, qytetarët pa vaksina! appeared first on KOHA.

---- ----
-----