Ballina Lajme nacionale Prangoset serbi i dyshuar për krime lufte në Lipjan

Prangoset serbi i dyshuar për krime lufte në Lipjan

20
SHPËRNDAJE

Është prangosur një serb në Kosovë që dyshohej se ka kryer krime mbi popullatën civile gjatë luftës në Lipjan

Një serb është prangosur në Kosovë si i dyshuar për krime lufte.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se, sot, gjatë ditës është prangosur i pandehuri G.S., i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit senë bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë ka kryer veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”, nё kundërshtim me nenin 142 lidhur me nenin 22 tё Kodit Penal tё Republikës Socialiste Federale tё Jugosllavisë (KPRSFJ) lidhur me Nenin 3 tё Konventës sё katёrt tё Gjenevës, po ashtu e penalizuar me nenin 146, lidhur me nenin 31 tё Kodit Penal tё Republikës se Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë periudhës kohore, 15 dhe 16 prill 1999, i pandehuri G.S., nё bashkëkryerje me tё pandehurit tjerë pjesëtarë të njësive rezervë të njësive ushtarake dhe policor të Serbisë, gjatë një ofensive të drejtuar kundër popullsisë civile në Komunën e Lipjanit dhe lokaliteteve për rreth, me përdorimin e forcës ushtarake, dhunës, plaçkitjes dhe frikësimit, fillimisht kanë dëbuar popullsinë civile shqiptare nga shtëpitë e tyre, e pastaj nga familjet të cilat ishin duke u përpjekur që të largohen nga sulmet dhe dhuna, të pandehurit i kanë ndarë dhjetëra persona, të cilët pastaj i kanë mbytur.

Me këto veprime i pandehuri G.S., në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë ka kryer veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”, nё kundërshtim me nenin 142 lidhur me nenin 22 tё Kodit Penal tё Republikës Socialiste Federale tё Jugosllavisë (KPRSFJ) lidhur me Nenin 3 tё Konventës sё katërt tё Gjenevës, po ashtu e penalizuar me nenin 146 dhe lidhur me nenin 31 tё Kodit Penal tё Republikës se Kosovës.

Gjithashtu, Prokuroria Speciale sot ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë –Departamenti Special, caktimin e masës së mbajtjes kundër të pandehurit G.S., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën e lartcekur.

-----