Ballina Lajme nacionale Prangoset personi që dëmtonte billbordet e VV-së në Deçan

Prangoset personi që dëmtonte billbordet e VV-së në Deçan

20
SHPËRNDAJE

Prangoset personi që dëmtonte billbordet e VV-së në Deçan.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka prangosur një person në Deçan, pas ankesave të një subjekti politik për dëmtimin e disa billbordeve, të cilat kishin qenë të vendosura në një objekt privat. Bëhet fjalë për një 19 vjeçar me inicialet A.T.

Rastin e ka konfirmuar Policia Rajonale të Pejës përmes një komunikate drejtuar mediave.

“Policia e Kosovës dhe Stacioni Policor në Deçan në koordinim të plotë me prokurorin e Prokurorisë Themelore në Pejë, pas një pune intensive operativo-hetimore me datën 02.10.2019 kanë identifikuar dhe kanë arrestuar të dyshuarin A. T., i lindur me 2000 m/k/sh”, thuhet në komunikatë.

Policia bën të ditur se ndaj të dyshuarit të lartcekur me datën 03.10.2019 është parashtruar kallëzim penal për veprën ‘asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme’, dhe se rasti është duke u hetuar nën drejtimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar se pesë herë në Deçan persona të panjohur kanë dëmtuar banerët elektoral të cilët paraqisnin liderin e partisë, Albin Kurti.

“Ky veprim i shëmtuar tregon frikën e cila i ka kapur bandat partiake që e kanë vjedhur Kosovën për 20 vite me radhë. Me pushtetin e tyre po largohet rinia, por me pushtetin e Vetëvendosjes do të largohet mafia”, thuhej në reagimin e tyre në Facebook.

Të njëjtit kishin thënë se do të vazhdojnë t’i vendosin përsëri banerët, pasi që sipas tyre, nuk do të bien pre e provokimeve të subjekteve të PAN-it.

“Ne do të vazhdojmë t’i vendosim banerët tanë, sipas ligjit, kudo. Subjektet e PAN-it, në panik sepse janë jashtë gare, po kërkojnë vazhdimisht të na provokojnë. Por ne nuk do të biem pre e provokimeve të tyre. Aktivistët tanë në Deçan, e në krejt Kosovën, kanë qenë në gjendje të ballafaqohen me guxim maksimal, dhe gjithnjë të fitojnë, përballë pushtetarëve abuzivë nga të gjitha partitë”, thuhej në reagim.

----- ----- ----- -----