Ballina Lajme nacionale Po flitet për zgjedhje të reja, por sa i kushtuan Kosovës zgjedhjet...

Po flitet për zgjedhje të reja, por sa i kushtuan Kosovës zgjedhjet e 6 tetorit?

13
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Ditëve të fundit po përmenden zgjedhje të reja.

Por, ende nuk dihet sa i kushtuan Kosovës zgjedhjet e 6 tetorit

----

Zgjedhjet e 6 tetorit kanë përfunduar tash e dy muaj – derisa ende nuk dihet sa i ka kushtuar shtetit të Kosovës organizimi i tyre.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në një prononcim për lajmi.net ka treguar se ende nuk dihet kosto e këtyre zgjedhjeve, derisa ka bërë të ditur se pagesat për personat e angazhuar në zgjedhje janë proceduar për pagesë.

“Sot (e enjte) i kemi proceduar për pagesë në Ministrinë e Financave listat me personat e angazhuar si staf ditor në QNR si dhe listat me personat e angazhuar në dërgimin e rezultateve nga Qendrat e Votimit. Po besojmë se së shpejti mjetet do të transferohen nëpër llogaritë e tyre”, tha Elezi për lajmin.

Më tutje, Elezi është shprehur se KQZ gjithashtu ka proceduar për pagesë në Ministrinë e Financave edhe pagesën për anëtarët e këshillave të vendvotimit dhe stafit të angazhuar nëpër komuna.

“Kohë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka proceduar për pagesë në Ministrinë e Financave edhe listat e të gjitha komunave të anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit tjetër të angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit”, tha Elezi.

Ndërkohë, zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit nuk dihet se sa para kanë zbrazur nga buxheti i Kosovës.

Sipas Elezit, KQZ është në përmbyllje të pagesave që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor dhe sipas tij, nuk dihet se sa para nga shuma e ndarë (6 milionë euro), janë shpenzuar në zgjedhje.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e përmbylljes së pagesave që kanë të bëjnë me shpenzimet e procesit zgjedhor të 6 tetorit. Dihet që për këto zgjedhje mjetet e planifikuara kanë qenë në shumën rreth 6 milionë euro, por se sa nga kjo shumë janë shpenzuar ne nuk mund ta themi këtë pasi jemi në përgatitje e sipër të raportit të shpenzimeve”, tha Elezi.

Elezi gjithashtu ka bërë të ditur se KQZ duhet të publikojë raport të plotë të shpenzimeve dhe kjo mund të bëhet vetëm pasi të kryhen të gjitha pagesat.

Periudha në të cilën KQZ obligohet t’i publikojë të gjitha shpenzimet është jo më shumë se 60 ditë pas shpalljes së rezultateve.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të publikojë një raport të plotë për shpenzimet zgjedhore dhe mënyrën e shpenzimit. Koha se kur duhet të bëhet ky publikim, sipas ligjit, është brenda 60 ditëve prej ditës së shpalljes së rezultateve”, tha Elezi për lajmi.net.

Ndërkohë, nëse bazohemi në të dhënat e zgjedhjeve të kaluara parlamentare, atëherë kosto e tyre gjithmonë ka lëvizur nga 4 deri në 4.5 milionë euro.

Në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2010, kosto e shpenzimit ka qenë 4,568,730 milionë euro, në ato të vitit 2014 kosto ishte 4,111,413 milionë euro, ndërsa në vitin 2017 kosto kishte zbritur në 4, 004,012 euro.

Kosto e organizimit të Zgjedhjeve Parlamentare është dukshëm më e ulët sesa ajo e Zgjedhjeve Lokale, ku zakonisht shifrat kanë lëvizur nga 6 deri në 7 milionë euro.

Zgjedhjet e 6 tetorit kanë nxjerrë fitues Lëvizjen Vetëvendosje që nuk po arrin të krijojë marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës edhe tani kur kanë kaluar 2 muaj e gjysmë nga mbajtja e tyre.

----- ----