Ballina Lajme nacionale Pleqëria e lodhshme në Kosovë

Pleqëria e lodhshme në Kosovë

61
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Mos u plaksh në Kosovë.

Gjatë ditës së djeshme me ankesa të shumta u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar në Kosovë.

Të moshuarit patën ankesat e tyre rreth pensioneve të ulëta që po marrin e po ashtu edhe rreth kushteve të tjera me të cilat po ballafaqohen në vend.

Ndonëse me dekada të tëra i ka shërbyer arsimit Nebahate Lleshi, e cila tashmë është në pension, është harruar nga shteti të cilit i kontribuoi me vite. Pleqërinë, ashtu si edhe shumë pensionistë të tjerë, ajo nuk mund ta gëzojë siç duhet, për shkak se pensionin që merr është i pamjaftueshëm për të, kurse edhe kushtet tjera me të cilat ajo përballet lënë shumë për të dëshiruar. Lleshi ka thënë për “Zërin” se qeveritarët nuk po kujdesen për të moshuarit. Sipas saj, pensionet që ata marrin janë vetëm si lëmoshë.

“Jemi shumë të anashkaluar. Duke marrë parasysh se për një drekë dhe për një darkë qeveritarët harxhojnë me mijëra euro, për ne nuk kujdesen e na japin pension, i cili është si lëmoshë e nuk është pension. Edhe pse ndihmë kërkojmë në instanca të ndryshme, ata asnjëherë nuk na kanë ofruar”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Ajo ka deklaruar se në Kosovë të gjithë pensionistët janë të shtypur dhe nuk ka as vende se ku ata ta kalojnë kohën.

“Unë isha në bankë dhe pashë se si arsimtare kam pasur të ardhura personale 221 euro, por kur shkova i mora vetëm 214 euro. Nuk e di se nga kanë shkuar 7 euro. Unë kam folur me kryetarin e Gjakovës dhe kam kërkuar që të më lironin nga tatimi i kamatës në pronë. Kur shkova më thanë se ti je pasanike. Në çdo vend të botës pensionisti i gëzon përfitimet më të mëdha dhe e ka një jetë më të lumtur, kurse ne këtu në Kosovë jemi të gjithë të shkelur”, ka thënë ajo.

Lleshi ka shtuar se gjithmonë gjatë kohës së fushatave marrin premtime se do të realizohen kërkesat e tyre për një jetë më të mirë, por që ato më pastaj nuk realizohen.

6,7 për qind të popullsisë në Kosovë e përbëjnë të moshuarit

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar ka thënë se kjo ditë po shënohet me qëllim të mbështetjes dhe të përmirësimit të gjendjes së popullatës së moshuar në Kosovë. Sipas tij, në Kosovë rritja e numrit të të moshuarve është në ngritje dhe se 6,7 për qind të popullsisë e përbëjnë të moshuarit. “Objektivat e kësaj Dite janë që të ndihmojmë, të ngremë vetëdijesimin dhe parandalimin e pabarazisë. në Kosovë rritja e numrit të të moshuarve është në ngritje dhe se 6,7 për qind të popullsisë e përbëjnë të moshuarit. Ndryshime të tilla tregojnë se gjatë viteve do të ketë numër të madh të moshuarve”, ka thënë ai.

Ndërsa shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Sergy Koryak, ka thënë se numri i të moshuarve në botë është në rritje.

“Janë mbi 700 milionë persona në mbi 60 vjet e në 10 vjetët e ardhshme pritet të jetë mbi 1 miliard e gjysmë. OBSH-ja çështjen e të moshuarve e sheh si e drejtë humane dhe themelore për të moshuarit”, ka thënë ai.

Hasan Berisha, nga Lidhja e Pensionistëve, ka shprehur pakënaqësitë e tij se të moshuarit në Kosovë kanë pensione të ulëta, pavarësisht kontributit paraprak.

Shala: Pensionet nuk dalin as për barna

Me kushtet në të cilat po jetojnë të moshuarit në vend është shprehur i pakënaqur edhe drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe i Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala.

Ai ka thënë për “Zërin” se institucionet në vend duhet të punojnë më shumë për të moshuarit, duke filluar nga rritja e pensioneve e deri te krijimi i hapësirave për qëndrim.

“Kushtet për të moshuarit nuk janë të mira për faktin se as nuk ka shtëpi të mjaftueshme për vendosjen e tyre, as nuk ka shërbime shëndetësore të mira për ta, pensionet janë më tepër ndihma sociale sesa janë pensione që mund të ndihmojnë për një jetë të dinjitetshme. Mendoj se u kanë mbetur borxh atyre e duhet të punohet shumë më tepër. Me pensionin që ata e marrin nuk kanë mundësi të blejnë as barnat e lëre të kenë një jetë më të dinjitetshme”, ka thënë ai për ‘Zërin’.

Shala ka thënë më tej se derisa buxheti i shtetit të jetë i njëjtë nuk pret të ketë përmirësim të kushteve për pensionistët.

---- ----
----
-----
-----