
Koronavirusi ka krijuar frikë dhe panik në mbarë botën. Në qendër të shpërthimit të virusit është qyteti Wuhan i Kinës, me një popullsi prej 11 milionë banorësh. Të hënën, autoritetet lokale raportuan për vdekjen e parë nga virusi edhe në Pekin.
Hetimet e para tregojnë se epiqendra e problemit, ka qenë tregu i kafshëve dhe ushqimeve të detit në Wuhan.
Viktima është një person 50 vjeç, i cili ka qenë në Wuhan, raportuan mediat lokale. Sipas zyrtarëve, shumica e viktimave janë pacientë të moshës 50 vjeç ose më të vjetër.
Ekspertët shëndetësorë thonë se virusi përhapet nga kafshët te njerëzit, por nuk është përjashtuar as mundësia e transmetimit midis njerëzve. Ai mund të shkaktojë sëmundje nga ftohja e zakonshme deri te Sars-i.
Sars, sindromë e rëndë akute e frymëmarrjes, ka shkaktuar vdekjen e mbi 700 njerëzve në botë gjatë shpërthimit të tij më 2002-3.