Ballina Sport Pirlo mbyll merkaton dhe “qan” Dzeko: Lojtar i shkëlqyer

Pirlo mbyll merkaton dhe “qan” Dzeko: Lojtar i shkëlqyer

18
SHPËRNDAJE

I freskët nga fitorja bindëse në debutimin si trajner bardhezi, kundër Sampdoria, Andrea Pirlo kthehet në fushë për të sfiduar Romën në “Olimpico”. Një ndeshje e vlefshme për javën e dytë të kampionatit (Serie A). Trajneri i Juventusit, duke folur në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes, e nis nga përgatitjet javore: “Ne kemi pasur një javë të mirë pune, më mirë se ajo e mëparshmja. Po rrisim ngarkesat dhe djemtë po punojnë mirë. Trajnimi është një emocion tjetër, sepse nuk e vendos unë formacionin, por varet nga lojtarët, që djersijnë fushën”.

Pirlo ndalet edhe tek ardhja e Alvaro Morata dhe shërimi i Paulo Dybala: “Ne po prisnim qendërsulmuesin dhe ai mbërriti gjatë javës. Kishim pak kohë për të punuar me të, por në kokën time ka kohë që mendohet se si mund t’i vendosim lojtarët në kushtet më të mira. Nuk e di nëse Dybala do të jetë në Romë. Do të vendosim pasdite nëse do ta marrim me vete apo do ta lëmë këtu për të punuar. Ai është kthyer gradualisht në grup këto ditë. Rotacioni? Më duket pak e çuditshme ta zbatoj atë pas vetëm një loje, unë do të përpiqem të aktivizoj skuadrën më të mire, sipas nevojave tona taktike dhe karakteristikave të Romës”.

Atyre që kritikojnë zgjedhjen për të blerë Alvaro Morata, pasi kërkuan Suarez dhe Dzeko, trajneri bardhezi iu përgjigjet duke përshkruar cilësitë e sulmuesit spanjoll: “Morata është një lojtar që e njohim prej disa kohësh. Ai e sulmon thellësinë mirë, mund ta mbajë repartin i vetëm, por luan mirë edhe me të tjerët. Nuk ishte një zgjedhje e tretë. Ai është një lojtar me karakteristikat që po kërkonim. Dzeko është një lojtar i shkëlqyeshëm, mund të ishte bërë sulmues i Juves, por negociatat nuk shkuan si duhet”.

Andrea Pirlo, gjithashtu, flet për situatën e mbrojtësve, aq të lidhur me merkaton, teksa më i fundit, Pellegrini, kaloi te Genoa: “Ne biseduam me Pellegrini, dukej më e përshtatshme ta dërgonim të luante edhe një vit, në funksion të Kampionatit Europian. Këtu, mbase nuk do të kishte luajtur shumë ndeshje. De Sciglio? Ai është në dispozicion, si javën e kaluar. Nuk pres asgjë nga merkatoja tani. Nëse ka mundësi shumë të mira, ne do t’i vlerësojmë. Khedira? Ne po vlerësojmë me të se cila mund të jetë zgjidhja më e mirë. Shpresojmë të gjejmë një zgjidhje, që është e duhura për të dyja palët. Unë nuk e shoh Bernardeschi si një mesfushor sulmues. Unë e shoh atë si një lojtar të rrezes, të forcës, të fizikut. Këtu do të duhet të japë më të mirën e tij”.

-----