Ballina Lajme nacionale Pezullohet falja e Kurban Bajramit dhe namazeve në xhami për 10 ditët...

Pezullohet falja e Kurban Bajramit dhe namazeve në xhami për 10 ditët e ardhshme

158
SHPËRNDAJE

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në një adresim para mediave ka konfirmuar se për shkak të gjendjes së rënduar me Covid-19 nuk do të falet namazi i Kurban Bajramit nëpër xhamitë e Kosovës.

Po ashtu për 10 ditë do të pezullohen edhe namazet nëpër xhamitë e Kosovës. Ai ka thënë se këtë hap e kanë ndërmarrë për të ruajtur shëndetin publik. Po ashtu Tërnava ka bërë apel që të mos ketë as vizita familjare.

“BIK-u ka analizuar situatën e cila po mbretëron edhe në Kosovën tonë e goditur pamëshirshëm nga ky virus Covid-19, edhe në mbledhjen e fundit të kryesisë së saj u diskutua rreth këtij problemi kaq të madh që tashmë është prezent edhe në mesin e qytetarëve tanë. Andaj BIK-u lajmëron të gjithë besimtarët se nesër pezullohet falja e namazit të Kurban Bajramit dhe për 10 ditë rend pezullohen faljet nëpër xhamitë e Kosovës. Sigurisht me të vetmin qëllim që të ruhet shëndeti i qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Tërnava tha se ky është një ndër vendimet më të dhimbshme që ka ndërmarr BIK-u, por që është mëse i duhur, në këtë kohë pandemie. Ai tha se ruajtja e shëndetit publik është edhe obligim hyjnor.

“Është një vendim i dhimbshëm për BIK-un, mirëpo një vendim me vend ngase kemi prioritetin edhe ne si BIK që të ruajmë shëndetin publik të qytetarëve sepse kështu na mëson Kurani, kështu na mëson Muhamedi a.s. E lus Zotin me këtë rast që të gjithë ata që kanë vdekur edhe nga virusi Covid-19 t’i mëshirojë me mëshirën e Tij. Ata të cilët janë të prekur me këtë virus t’i shërojë e neve të na mundësojë të gjithëve që të respektojmë rregullat të cilat dalin nga qeveria e Kosovës, MSh-ja, IKSHP-ja dhe BIK-u që të kemi sa më pak të infektuar”, tha ai.

Myftiu Tërnava ka ftuar të gjithë qytetarët që të ruajnë karakterin festiv të festës, por në këtë kohë pandemie të kenë më shumë mirëkuptim, disiplinë, solidaritet, mbështetje e përkujdesje për ata që kanë nevojë, e sidomos për ata që po sprovohen më virusin Covid-19.

Por njëkohësisht bëri apel që të shmangen vizitat familjare.

“Si në asnjë festë tjetër, festa e bajramit shoqërohet me vizita tek familja, farefisnia e miqësia, gjë që duhet kultivuar e praktikuar, mirëpo jo edhe kësaj radhe, andaj ju ftoj të gjithëve që për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit, t’i shmangim vizitat, të shmangim përshëndetjen tradicionale të bajramit me dorë e përqafime, si dhe t’i shmangim tubimet e shumë njerëzve, qoftë në ambiente të hapura apo të mbyllura”, tha ai.

The post Pezullohet falja e Kurban Bajramit dhe namazeve në xhami për 10 ditët e ardhshme appeared first on ShqipMedia.

----- ----- ----- -----