Ballina Lajme nacionale Përveç pritjes deri në 9 orë në Merdar, mërgimtarëve ju ndodhi edhe...

Përveç pritjes deri në 9 orë në Merdar, mërgimtarëve ju ndodhi edhe kjo nga serbët

27
SHPËRNDAJE

Mërgimtarët edhe provokohen në Serbi.

Pritjet e gjata nëpër pikëkalime, për të dalë nga Kosova, nuk janë të vetmet halle të mërgimtarëve. Ata së fundmi janë ankuar edhe për telashe të tjera, të cilat po u shkaktohen në Serbi.

Në një grup në Facebook, një bashkatdhetar i cili ka udhëtuar nga Kosova për në Gjermani, është ankuar se i janë shpërthyer gomat e veturës, raporton KTV.

E në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme, kanë thënë se janë në kontakt me zyrën e BE-së dhe Beogradin, dhe janë ankuar lidhur me maltretimet që po u bëhen qytetarëve.

Tutje, nga kjo ministri, kanë thënë se Serbia është duke shkelur në vazhdimësi marrëveshjen për lëvizje të lirë dhe se kjo çështje është kryesore në diskutimet me BE-në.

“Ne, në vazhdimësi, jemi ne kontakt me Zyrën e BE-së, qoftë në Prishtinë, qoftë nëpërmjet zyrës sonë në Beograd, duke ngritur shqetësimet tona në lidhje me maltretimin e qytetareve tanë nga shteti serb. Serbia, në vazhdimësi, shkel marrëveshjen për lëvizjen e lirë dhe kjo çështje nuk guxon të tolerohet nga Bashkimi Evropian. Kjo çështje është çështja kryesore e diskutimit tonë me BE-në”, ka thënë Jetlir Zyberaj nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Sportelet e reja të pikëkalimit kufitar në Merdar janë ndërtuar nga Bashkimi Evropian, por ka një vit që pala serbe nuk po pranon të hyjë në të, kjo gjë madje edhe po shkakton kolona të gjata. Këtë të diele qytetarët të cilët kanë dashur të largohen nga Kosova është dashur të presin deri në 9 orë.

Derisa nga Policia e Kosovës kanë thënë se kanë lehtësuar procedurat për ta shmangur fluksin e madh, nga Ministria për Punë të Brendshme kanë vazhduar ta fajësojnë Serbinë për këtë.

Në një përgjigje të MPB-së për KTV-në, thuhet se nuk kanë fuqi që t’i eliminojnë barrierat që është duke i shkaktuar Serbia dhe se qëllimisht nuk po shfrytëzohet pjesa e re.

“Pala serbe, si gjithherë, bën veprime të cilat bien ndesh edhe me normat ndërkombëtare dhe ne, si MPB, nuk po kemi fuqi që t’i eliminojmë këto barriera që po i shkakton Serbia. Qëllimshëm nuk po e shfrytëzon pjesën e re të pikëkalimit kufitar dhe po shkakton këtë gjendje të padurueshme, por edhe maltretim të qytetarëve tanë. Shqetësues është fakti që as prej mekanizmave ndërkombëtarë nuk kemi ndonjë reagim për këtë gjendje të qëllimshme që po e shkakton Beogradi zyrtar. Pjesa jonë e kufirit është duke punuar me kapacitete të plota dhe nuk kemi vonesa. Në fund u kërkojmë falje qytetarëve tanë për këto pritje të gjata, por jo me përgjegjësinë e institucioneve tona”, ka thënë Izmi Zeka nga MPB-ja.

Nga 1 deri në 5 orë kanë qenë pritjet edhe në pikëkalimet e tjera që lidhin Kosovën me Serbinë.

-----