Ballina Lajme nacionale Përurohen investimet e reja në Klinikën e Pediatrisë

Përurohen investimet e reja në Klinikën e Pediatrisë

12
SHPËRNDAJE

Është përuruar investimet e reja në Klinikën e Pediatrisë.

Në Repartin e Hemato-Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë janë përuruar investimet e reja nga Qeveria Amerikane në vlerë prej 150 mijë dollarë. Ky rinovim i infrastrukturës së këtij reparti dhe kësaj Klinike rrit kapacitetet e tyre për ofrim të shërbimeve më cilësore.

Sipas një njoftimi, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, si dhe ambasadori i SHBA në Kosovë, Kevin Kosnett përuruan sot investimet e reja nga Qeveria Amerikane në vlerë prej 150 mijë dollarë në Klinikën e Pediatrisë.

Ministri Ismaili tha se “sot është një ngjarje pozitive për shëndetësinë kosovare. E kemi transformuar edhe një repart që për një kohë të gjatë nuk ka pasur kushtet e nevojshme për ofrim cilësor të shërbimeve. Me investimet e reja në vlerë prej 150 mijë dollarëve ky repart do të jetë në gjendje të funksionojë shumë më mirë. Ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e madhe dhe direkte nga shteti mik i SHBA-ve për Kosovën”.

Ambasadori Kosnett u shpreh se “Ambasada Amerikane ka kënaqësinë të ndihmojë sektorin e shëndetësisë në Kosovë dhe pacientët e klinikës pediatrike të onkologjisë përmes këtij projekti për rinovim”.

Investimet në repartin e Hemato-Onkologjisë përfshijnë rinovimin e infrastrukturës së përgjithshme dhe kushteve sanitare të repartit, duke përfshirë investime në renovimin e shkallëve, mureve, tavaneve dhe zëvendësimin e tërësishëm të dritareve të shkallëve.

Sipas Ministrit Ismaili, të gjitha këto investime janë pjesë e projekteve për përmirësimin e kushteve nëpër Institucionet Publike Shëndetësore që për qëllim kanë ofrimin e shërbimeve sa më të mira për pacientët.

-----