Ballina Lajme nacionale PËRMBARUESIT SËRISH ME PROFIT! Pandemia për dikë me fitim, për dikë me...

PËRMBARUESIT SËRISH ME PROFIT! Pandemia për dikë me fitim, për dikë me humbje

5
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Nga totali i mjeteve të paguara përmes procedurave të ndryshme nga ana e përmbaruesve, nga kompanitë janë paguar afër 89 milionë euro, nga shteti janë paguar afër 9.5 milionë euro dhe nga qytetarët – 25 milionë euro

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 8 prill – Në një vit pandemie me plot vështirësi dhe probleme për qytetarët dhe biznesin, megjithatë borxhlinjtë përskaj një ndalese katër mujore vitin e kaluar, kanë vazhduar të paguajnë borxhet e ndryshme përmes përmbaruesve. Në vitin 2020, 99 përmbarues që punojnë pranë 11 gjykatave themelore në vend, kanë paguar 123 milionë euro apo një shifër të njëjtë me atë të vitit 2019. Madje, sipas raportit të punës së Odës së Përmbaruesve, i ngjashëm me 46.84 për qind të realizimit në vitin 2019, dhe me 44.55 për qind të realizimit në vitin 2020 ka qenë edhe niveli i kërkesave të pranuara dhe të realizuara në dy vitet e kaluara. Vjet janë pranuar 100760 kërkesa për përmbarim prej të cilave janë realizuar 44.889 lëndë, ndërsa në vitin 2019 ka pasur 121.812 kërkesa, prej të cilave janë realizuar 57.065 lëndë. Nga totali i mjeteve të paguara përmes procedurave të ndryshme nga ana e përmbaruesve, nga kompanitë janë paguar afër 89 milionë euro, nga shteti janë paguar afër 9.5 milionë euro dhe nga qytetarët janë paguar 25 milionë euro. Nga ana tjetër, në raportin e punës së përmbaruesve theksohet se vitin e kaluar – përmbaruesit kanë paguar për llogari të biznesit shumën prej 107 milionë euro, në favor të qytetarëve kanë paguar mbi 15 milionë euro dhe për shtetin kanë paguar afër një milion euro.

Lidhur me ankesat për harxhimet e mëdha që i paguajnë qytetarët për borxhet e ndryshme, në Odën e Përmbaruesve arsyetohen se në strukturën e borxhit të fundit, nuk hyjnë vetëm harxhimet e përmbaruesve, por edhe të më shumë institucioneve të tjera. Nga Oda e Përmbaruesve të Maqedonisë thonë se në shumicën e lëndëve, harxhimet e përmbaruesve marrin pjesë me një të tretën apo një të katërtën e shumës, që qytetarët në fund e paguajnë si total për shlyerjen e borxheve të ndryshme, ndërsa pjesa tjetër e harxhimeve ka të bëjë me kamatat e ndryshme, si dhe me harxhimet e noterëve, avokatëve… Njëherësh, shpjegojnë se nga 14 milionë llogari për rrymë, ujë, shërbime të telefonisë, apo ngrohjes qendrore – në mesatare për përmbarim arrijnë 120 mijë llogari. Më tej shtojnë se përkundër problemeve të ndryshme për të cilat ankohen qytetarët, megjithatë është realizuar qëllimi kryesor i çdo shteti që të paguhen borxhet. Gjithashtu thonë se po mundësohet pagesa në këste dhe ka lehtësime te pagesa e borxhit.

Vitet e kaluara, organizatat joqeveritare dhe një pjesë e sindikatave në vend, kanë kërkuar që shteti të gjejë zgjidhje për hallet e qytetarëve me borxhet dhe të ulë harxhimet e ndryshme dhe të mëdha që ju shkaktohen qytetarëve gjatë pagesës së borxheve nga ana e përmbaruesve.

Ndër kërkesat ka qenë edhe anulimi i kamatave ndëshkuese, ndërprerja e praktikës që të paguhen shuma të mëdha të borxheve, për të cilat veçmë është paguar shuma themelore. Organizatat joqeveritare më tej kanë kërkuar që borxhet të paguhen me kamatat minimale prej afër 2 për qind si dhe kontrolle të lëndëve veçmë të paguara të përmbaruesve. Është kërkuar sqarimi dhe saktësimi i përmbarimit të lëndëve të vjetra që kanë ardhur nga gjykatat e për të cilat qytetarët nuk kanë pasur dijeni se kanë borxh, apo nuk janë informuar me kohë për ekzistimin e borxheve të ndryshme.

Nga ana tjetër, përmbarimi ndaj pagës apo pensionit mund të realizohet deri në shumën e një të tretës së pagës apo pensionit. Me ndryshimet e vitit të kaluar të Ligjit për përmbarim, janë vendosur edhe kategori të reja për të cilat është lehtësuar procedura e përmbarimit për kategoritë e prekshme sociale. Megjithatë, me ndryshimet e fundit ligjore – në këtë kategori vendosen edhe njerëzit që pranojnë pagë mesatare. Kjo nënkupton se përmbaruesit mund të përfshijnë një të pestën dhe jo një të tretën të pagës për përmbarim. Me fjalë tjera, një e treta deri një të pestën e pagës dhe pensionit janë përkufizimet e përmbarimit për pranuesit e pagës mesatare dhe pensionit. Vitin e kaluar, përmbaruesit kanë protestuar edhe ndaj uljes së shpërblimit për punën e tyre nga 1000 në 300 euro, duke u arsyetuar se kjo ndikon negativisht në punën e tyre. Ndryshe, në 15 vitet e kaluara nga ana e përmbaruesve në emër të borxheve të ndryshme janë paguar afër 1.5 miliardë euro. Apo më saktësisht – në 15 vitet e kaluara – janë pranuar 1.546.605 lëndë, dhe janë realizuar 567.210 lëndë apo 36.67 për qind e tyre. Në total deri tani janë paguar 1.488.679.224 euro në emër të borxheve të ndryshme të biznesit dhe qytetarëve.

2006: 20,217,987.00 euro

2007: 49,294,201.00 euro

2008: 60,054,078.00 euro

2009: 78,054,164.00 euro

2010: 94,760,634.00 euro

2011: 80,106,316.00 euro

2012: 104,312,352.00 euro

2013: 127,780,882.00 euro

2014: 107,876,768.00 euro

2015: 107,646,962.00 euro

2016: 118,964,677.41 euro

2017: 166,224,905.97 euro

2018: 126,966,895.41 euro

2019: 123,255,351.58 euro

2020: 123,163,049.63 euro

(koha.mk)

The post PËRMBARUESIT SËRISH ME PROFIT! Pandemia për dikë me fitim, për dikë me humbje appeared first on KOHA.

---- ----
----
-----
-----