Ballina Lajme nacionale Për të krijuar atmosferë për dialogun/ Serbia vendos të pezullojë fushatën e...

Për të krijuar atmosferë për dialogun/ Serbia vendos të pezullojë fushatën e çnjohjes së kosovës

95
SHPËRNDAJE

Serbia ka vendosur që të pezullojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Radio Evropa e Lirë raporton se autoritetet e Beogradit e kanë dhënë pëlqimin e tyre për të ndalur fushatën në mënyrë që të kontribuojnë në atmosferën për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Si një tregues i vullnetit të mirë për të krijuar një atmosferë të favorshme për vazhdimin e dialogut, Beogradi ka rënë dakord të mos vazhdojë me këtë fushatë”, konfirmuan burimet nga Brukseli.

Një nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian që merret me procesin e dialogut theksoi se fushata e Serbisë është një “çështje irrituese”.

“Ne kemi nevojë për të ndërtuar një atmosferë pozitive, dhe jo të irritojmë njëri-tjetrin,” tha ai.

Numri i vendeve që tërhoqën njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Serbisë, është i panjohur.

Sidoqoftë, zyrtarët serbë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuç, nuk e kanë fshehur asnjëherë se ata çuan diplomacinë e tyre në atë drejtim. Serbia gjithashtu ka mbrojtur hapur pozicionet kundër pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, të tilla si Interpol dhe UNESCO.

Diplomatët nga Brukseli vlerësojnë se të dyja palët duhet të kontribuojnë në një atmosferë konstruktive që do të mundësojë rifillimin e dialogut.

-----