Ballina Lajme nacionale Për 400 vende aplikuan 1124, këto janë drejtimet më të kërkuara në...

Për 400 vende aplikuan 1124, këto janë drejtimet më të kërkuara në Filologji

71
SHPËRNDAJE

Është koha kur maturantët kanë aplikuar në fakultet ku do të vazhdojnë studimet universitare.

Tri drejtimet më të kërkuara në Fakultetin e Filologjisë sivjet janë: Gjuha dhe Letërsia Angleze, Gjuha dhe Letërsia Gjermane dhe Gazetaria. Në këto tri drejtime janë kërkuar 400 studentë, ndërsa, kanë aplikuar 1 mijë e 124 kandidatë.

Përsëri drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Angleze ka dalë të jetë më i kërkuari nga kandidatët për t’u bërë studentë.

Kështu, për 130 vende kanë aplikuar 563 kandidatë.

Edhe Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane vazhdon të kërkohet prej atyre që kanë përfunduar maturën.

Sivjet për të studiuar gjuhën dhe letërsinë gjermane kanë aplikuar 396 studentë. Ndërsa janë të lira vetëm 120 vende. Edhe në Departamentin e Gazetarisë sivjet kanë aplikuar 156 kandidatë për 150 vende

Ndërkaq, sivjet tri departamentet tjera të Fakultetit të Filologjisë kanë kërkuar t’i pranojnë 125 studentë. Në Gjuhë dhe Letërsi Frënge, Gjuhë dhe Letërsi Turke dhe Orientalistikë kanë aplikuar vetëm 49 kandidatë.

Sikur të pranoheshin të gjithë kandidatët që kanë konkurruar në Departamentin Gjuhë dhe Letërsi Frënge prapë aty do të mbesin edhe 20 vende të lira për studime.

Në listat e publikuara nga UP’ja, në vendin ku studiohet gjuha dhe letërsia franceze kanë aplikuar vetëm 30 kandidatë. Ishin kërkuar 50 vende për studentë.

Edhe më keq se në frëngjisht është gjendja në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Turke. Nga 45 vendet e kërkuar për studentë, në këtë afat të konkursit, kanë aplikuar vetëm 8 kandidatë. Kanë mbetur edhe 33 vende të lira sikur të gjithë kandidatët që kanë aplikuar të pranoheshin.

Edhe më keq se në frëngjisht e turqisht gjendja është në Departamentin e Ortientalistikës. Aty, prej 30 vendeve të kërkuara për studentë kanë aplikuar vetëm 11 studentë. Kanë mbetur edhe 19 vende të lira sikur të gjithë kandidatët të pranoheshin në studime.

Express ka shkruar sot se gjendja e njëjtë e mosinteresimit të maturantëve për drejtime ekziston edhe për Letërsinë shqipe.

Interesimi për t’u bërë pjesë e studimeve në Departamentin e Letërsisë shqipe ka rënë përgjysmë krahasuar me numrin e studentëve që kanë kërkuar.

Kështu, nga 80 vende për studentë, në konkursin e këtij afati kanë aplikuar vetëm 36 kandidatë.

Pra, kanë mbetur 44 vende të lira në rastin se të gjithë kandidatët që kanë aplikuar do të pranoheshin në studime.

Ndryshe, në Departamentin e Letërsisë shqipe e kanë bazën edhe demonstratat e viteve 1968 dhe 1981 Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 i ka pasur ne themelet e veta albanologet e këtij fakulteti edhe lëvizja e viteve 80, me LDK e ka adrese albanologjinë dhe shkrimtaret e dale nga këto dege.

Express ka shkruar sot se Universiteti i Beogradit për çdo vit pranon nga 70 studentë në Departamentin e Filozofisë. Shteti serb ka popullsi prej rreth 7 milionë banorëve.

Kosova ka më pak se 2 milionë banorë. Dhe, për çdo vit Universiteti i Prishtinës hap konkurs për pranimin e 100 studentëve në Drejtimin e Filozofisë.

Ministria e Arsimit dhe as Universiteti i Prishtinës kurrë s’kanë bërë asnjë studim se sa filozofë, letrarë, turkologë… i duhen tregut të punës.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi që ka aprovuar numrin e studentëve për secilën degë asnjëherë s’ka kërkuar të arsyetohen shifrat e studentëve me tregun e punës dhe as me kërkesën e shoqërisë për profile të caktuara.

Mirëpo, janë maturantët që kanë nisur të vetëdijesohen pasi shteti ka dështuar të kufizojë kuotat e regjistrimeve nëpër drejtime që s’kërkohen në tregun e punës.

Kështu, i ka ndodhur pikërisht Departamentit të Filozofisë në Universitetin e Prishtinës.

Prej 100 vendeve që i kanë kërkuar me konkurs kanë konkurruar vetëm 27 kandidatë. Kanë mbetur 73 vende të lira.

Profesorët e Fakultetit Juridik do të mund të mbesin pa mbinormë pasi sivjet maturantët kanë vendosur të mos shkojnë në këtë drejtim aq sa kanë kërkuar në konkursin e shpallur më 4 korrik.

Fakultetit Juridik i është aprovuar kuota e 800 vendeve të reja për studentët që do të aplikojnë sivjet.

Por, në listat e publikuara për provimin pranues që do të mbahet nesër, del se në Juridik kanë konkurruar vetëm 733 kandidatë për t’u bërë studentë.

Kështu, Juridiku për studime të rregullta ka kërkuar 416 vende ndërsa kanë konkurruar 625 kandidatë.

Për studime me korrespodencë i ka hapur 250 vende ndërsa kanë konkurruar vetëm 108 kandidatë.

Express ka shkruar mbrëmë se as edhe profesorët dhe asistentët në Banka, Financa dhe Kontabilitet ka gjasa që të mbesin pa mbinorma dhe të marrin edhe nga një pagë shtesë për punën që bëjnë në Universitetin e Prishtinës. Kjo pasi interesimi i studentëve për të studiuar këtë drejtim ka rënë.

Nga 650 vende që janë hapur për studentë të rinj, vetëm 341 kandidatë kanë aplikuar. Rrjedhimisht, edhe nëse pranohen të gjithë do të mbesin edhe 309 vende tjera të lira.

Rrjedhimisht, profesorët do të mbesin pa orët shtesë të planifikuara për këtë numër të studentëve.

Prej pasluftës, pa asnjë studim të mirëfilltë, një pjesë e madhe e të rinjve ka studiuar në fushat ekonomike.

Programe të tilla përpos në UP ka edhe nëpër universitetet tjera publike dhe private.

-----