Ballina Lajme nacionale Pavarësishit përvojës, zgjedhjet sfidë për KQZ-në

Pavarësishit përvojës, zgjedhjet sfidë për KQZ-në

13
SHPËRNDAJE

Vendi ynë po shkon drejt zgjedhjeve.

Edhe pse presidenti i vendit, Hashim Thaçi, akoma nuk ka shpallur datën e zgjedhjeve të parakohshme, organizimi i tyre është një sfidë për KQZ-në.

Pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës më 22 gusht, Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme mirëpo, presidenti i vendit Hashim Thaçi ende nuk i ka shpallë ato.

Burime të lajmi.net, kanë bërë të ditur se javën që vjen presidenti do t’i shpallë zgjedhjet dhe se sipas të njëjtit burim, gjasat janë shumë të mëdha që zgjedhjet të mbahen më 6 tetor dhe se fushata zgjedhore do të jetë vetëm 10 ditë.

Mirëpo, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme përpos kostos së madhe që mbart më vete, është edhe sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pavarësisht se KQZ-ja ka përvojën e duhur në organizimin e zgjedhjeve.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së ka thënë për lajmi.net, se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme ka sfida dhe vështirësi, pasi që siç u shpreh ai, të gjitha fazat e procesit zgjedhor duhet të bëhen brenda një periudhe të shkurtër kohore.

“Sigurisht se për një institucion që merret me organizimin e zgjedhjeve ka sfida dhe vështirësi kur zgjedhjet nuk janë të planifikuara, pasi kjo do të thotë se organizimi i tyre duhet të bëhet brenda një periudhe të shkurtër kohore. Pra, të gjitha fazat e procesit zgjedhor, siç është periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë vendit dhe pastaj votimi përmes postës, koha e shkurtër për informim publik, e të tjerat duhet të zhvillohen apo organizohen brenda pak kohësh”, u shpreh Elezi për lajmi.net.

Sipas tij, pavarësisht kësaj, KQZ-ja ka përvojën e duhur në organizimin e zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tashmë përvojën e duhur në organizimin e zgjedhjeve, qoftë edhe kur ato janë të parakohshme dhe shprehim përkushtimin për të përmbushur detyrat kushtetuese dhe ligjore në mënyrë që qytetarët me të drejtë vote të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre”, theksoi Elezi.

Ai po ashtu ka thënë se ende nuk dihet se sa do të jetë numri i monitoruesve, por që me kohë do të bëhen publike edhe procedurat për aplikim.

“Ne nuk kemi ndonjë parashikim se sa do të mund të jetë numri i vëzhguesve. Gjithashtu është ende herët për të ditur numrin e tyre. Do të ketë një periudhë të caktuar kohore kur do të mund të bëhet aplikimi për tu akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe do të bëjmë të ditura të gjitha informacionet e duhura lidhur me këtë proces”, ka treguar Elezi.

Theksojmë se deri të zgjedhjet e parakohshme ka ardhur si pasojë e dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit më 19 korrik pasi që ai ishte ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Po ashtu, deri më tani edhe pse nuk janë shpallur zgjedhjet e parakohshme janë formuar dy koalicione parazgjedhore.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate do të shkojnë së bashku në zgjedhje, kurse bartës i listës, pra kandidat për kryeministër nga ky koalicion do të jetë Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, koalicioni i dytë është formuar në mes të Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re, ku kandidat për kryeministër nga ky koalicion do të jetë, Fatmir Limaj.

Deri më tani është vetën Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ajo e cila akoma nuk ka bërë publik emrin e kandidatit të saj për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme dhe nuk dihet nëse do të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje apo jo.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, tashmë është bërë zyrtare që, Kadri Veseli do të jetë kandidat për kryeministër dhe ky subjekt politik do të shkojë i vetëm në zgjedhje.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë për kandidat Albin Kurtin.

-----