Ballina Lajme nacionale Pas dorëheqjes, nesër Haradinaj mbledh ministrat

Pas dorëheqjes, nesër Haradinaj mbledh ministrat

22
SHPËRNDAJE

Ramush Haradinaj nesër do t’i mbledh ministrat.

Këtë të premte, Ramush Haradinaj do të ulet sërish në karrigen e kryeministrit të vendit, 1 javë të plotë pas dorëheqjes së parevokueshme nga posti i njëjtë.

Haradinaj ka thirrur mbledhje të Qeverisë, me së paku 12 pika të rendit të ditës.

Në to përfshihet edhe emërimi i anëtarëve të Bordit të Autoritetit Civil, bartja e një prone nga KEK-u në Komunën e Obiliqit, si dhe vendimi për shpronësime të tokave për pikën kufitare të re mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë për KTV-në që mbledhja do të mbahet përkundër pikëpyetjeve ligjore që janë ngritur.

Një opinion trefaqësh është përgatitur nga Zyra Ligjore e Zyrës së kryeministrit, para kësaj mbledhjeje.

Aty, fillimisht konstatohet se kjo është hera e parë që ndodh një dorëheqje e tillë, që prej hyrjes në fuqi të Kushtetutës, në vitin 2008.

Zyra Ligjore i referohet Kornizës kushtetuese që precizonte që me gjithë dorëheqjen, kryeministri e luan rolin e kryeministrit të përkohshëm deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri.

Për ta sqaruar situatën merren krahasimet me kushtetutat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Kroacisë.

Zyra Ligjore është e mendimit se situata e përcaktuar me nenin 95, paragrafi 5 i Kushtetutës, kur kryeministrit jep dorëheqje dhe konsiderohet se qeveria bie, është situatë analoge me situatën kur qeveria konsiderohet në dorëheqje, në kuptim të nenit 100, paragrafi 6 të Kushtetutës së Kosovës. Një qasje e tillë interpretative është aplikuar edhe në Komentarin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me autorë profesorë Dr. Enver Hasani /Prof. Ivan Cukalovic, lidhur me nenin 95, paragrafi 5, ku thuhet se ‘Në kuptim të nenit 95.5 Qeveria bartet nga Kryeministri dhe shkarkimi, dorëheqja apo mbetja e ulëses së kryeministrit vakante, sjell ipso iure pasojën e konsiderimit të Qeverisë si të shkarkuar”. Shkarkimi nënkupton kalimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë në Kuvend, në kuptim të nenit 100 të Kushtetutës.

Pra, fjala “bie,” thënë në nenin 95, paragrafi 5. *(fjala “bie” ekziston vetëm në versionin e gjuhës shqipe në Kushtetutë, ndërsa, në versionin e gjuhës serbe, kjo fjalë mungon në këtë dispozitë), nuk nënkupton situatën e mosekzistimit të qeverisë, por të ekzistimit të një qeverie “në dorëheqje”, respektivisht në detyrë, e bashkë me të, edhe detyrimin institucional të Qeverisë në dorëheqje/detyrë për të përmbushur disa nga detyrat qeveritare që kanë për qëllim vetëm mbulimin e vakuumit institucional deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Zyra Ligjore e Kryeministrit konsideron se supozimi i mosekzistimit të qeverisë bie në kundërshtim logjik me nenin 4 të Kushtetutës, që flet për ekzistimin e institucioneve të rendit kushtetues.

Zyra Ligjore thotë se Qeveria duhet të bazohet në kompetencat e saj të dhëna me Kushtetutë e legjislacionin në qeveri dhe se Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretim të Kushtetutës.

Krejt në fund, Zyra ligjore e lut kryeministrin të ketë parasysh se opinionet juridike nuk kanë fuqi obligative juridike, pasi Kushtetutën e interpreton vetëm Gjykata Kushtetuese.

-----