Ballina Lajme nacionale Pas 15 ditëve Thaçi mund ta kërkojë mandatarin për kryeministër nga LDK-ja

Pas 15 ditëve Thaçi mund ta kërkojë mandatarin për kryeministër nga LDK-ja

20
SHPËRNDAJE

Tre muaj pas zgjedhjeve, Vetëvendosje ende nuk ka arritur ta formojë qeverinë.

Si presidenti i vendit, Thaçi ka thënë se ka vendosur që t’i ofroj Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore.

Lidhur me këtë në një prononcim për lajmi njohësi i Kushtetutës, Riza Smaka, ka thënë se Presidenti Thaçi nuk ka autorizim në bazë të ndonjë dispozitë, por që, sipas tij, bëhet fjalë për vakum juridik.

“Sa i përket këtij afati prej përfundimit të zgjedhje, nga certifikimi i rezultateve e më konstituim të Kuvendit, deri në momentin kur Presidenti e mandaton përfaqësuesin e partisë më të madhe nuk ka shprehimisht afat, kjo është d.m.th, si ta quajmë vakum juridik, zbrazësi juridike. Tani po e dimë pse e qysh si u shty kjo procedurë”, ka thënë ai.

Smaka ka thënë se presidenti Thaçi ka vepruar në mënyrë të duhur, pasi sipas tij, në këtë mënyrë i ka dhënë një mundësi Kurtit që brenda dy ditëve të sigurojë së paku numrin prej 61 mandateve.

Ai po ashtu ka thënë se nëse brenda 15 ditësh, Kurti dështon të arrijë marrëveshje me LDK-në, atëherë Presidenti Thaçi do e kërkojë mandatarin e dytë tek LDK-ja.

“Unë gjykojë që shkaktar kryesor i obstruksioneve është LDK-ja cila pretendon për postin e presidentin edhe prandaj e bllokon këtë çështje, e shtyn në disfavor të vendit tonë. Por gjithsesi në rastin konkret, unë gjykojë se Presidenti shprehimisht nuk është që ka autorizimi në bazë të ndonjë dispozite, por se e ka shfrytëzuar funksionin edhe ka vepruar në oportunitet politike në rrethanat, mirë ka vepruar, ashtu që ja ka dhënë një mundësi edhe Z. Kurtit që brenda dy ditëve të sigurojë së paku numrin prej 61 mandateve apo eventualisht nëse jo atëherë do të fillonte rrjedha e 15 ditëve e nëse edhe brenda 15 ditëve nuk do të kishte mundësi për ta propozuar strukturën e qeverisë, atëherë do të linte afati i dytë, por nga kandidatë tjetër, pra i LDK-së”, ka thënë Smaka.

“Shprehimisht nuk ekziston ndonjë dispozitë se që i jep këtë autorizim, por është fjala për vakum juridik, edhe tash po marrim kontekstin e rrethanave ekzistuese që më mirë është që ju ka dhënë mundësia prej 48 orëve Z.Kurtit, sesa të shkonte në propozimin e mandatarit dhe të fillonte rrjedha e kohës nga dita e sotme”, ka thënë tutje Smaka.

Kujtojmë se sot takimi Thaçi-Kurti ka zgjatur pak minuta.

Lideri i VV-së, Albin Kurti pas këtij takimi ka deklaruar se nuk është mandatar dhe nuk është dorëzuar asnjë emër për kandidatin për kryeministër.

Kurti ka deklaruar se ky thjeshtë ka qenë një takim konsultativ me presidentin Thaçi dhe se sa më shpejt pas konsultimeve me Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje do t’ia dorëzoj emrin presidentit Thaçi.

Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kurti më në fund shkoi në zyrën e tij për të bërë hapin kushtetues të kërkimit të mandatit për kryeministër, por për fat të keq nuk e bëri një gjë të tillë.

Ai ka thënë se shpreson që brenda 48 orësh Kurti do të mund ta nominojë një kandidat për kryeministër, pasi që populli, parlamenti dhe aleatët tanë presin këtë hap nga ai.

-----