
Partizani ka marrë një fitore me shumë vlera në Korçë, përballë vendasve të Skënderbeut.
Një fitore që vlen shumë edhe për terrenin e vështirë që ishte në fushën e juglindorëve duke qenë se ajo ishte e mbuluar nga bora. Megjithatë, kur mendohej që vendasit të ishin ata që do të përshtateshin më shpejt me fushën, ndodhi e kundërta.
Të kuqtë shënuan dy herë brenda shtatë minutave falë realizimeve të Bardhit dhe Solomon.
Me avantazhin e të kuqve 0-2 u mbyll pjesa e parë, ndërkohë që në fraksionin e dytë, vendasit hapën lojën falën golit të Mensah në minutën e 66.
Por, sërish me gjithë përpjekjet e bardhekuqve, takimi e kishte fatin të paracaktuar dhe të kuqtë morën tre pikët e plota pas barazimit ndaj Apolonisë javën e kaluar dhe tashmë ngjiten sërish të dytët, ndërsa korçarët parakalohen nga Apolonia dhe gjenden në vendin e fundit të klasifikimit.
Kjo pasi fieraket moren tre pike te arta ne ndeshjen e sotme ndaj Laçit me rezultatin 1-0.
Goli per Apolonine e shenoi Gjata ne pjesen e pare.
Tirana vuan përballë Kastriotit, por në Selman Stermasi ia del të lejë pas “makthin” e pesë barazimeve radhazi duke fituar me rezultatin 2-1. Bardheblutë, edhe pse e nisën ndeshjen në kërkim të menjëhershëm të golit, e panë veten në disavantazh, kur Devid u gjend i lirë në zonën e tyre pas nja harkimi në zonë.
Megjithatë, vendasit reaguan dhe sërish ishin në epërsi territoriale, ndërsa golin e barazimit e gjetën në minutën e 35 me kapitenin Idriz Batha, i cili nga fare pranë mposhti portierin Isli Hidi. Në pjesën e mbetur të pjesës së parë, nuk pati zhvillime të reja dhe ajo u mbyll në barazim.
Por, kryeqytetasit nuk mund të pajtoheshin me rezultatin dhe gjashtë minuta pas fillimit të fraksionit të dytë, Muçi i gjendur përballë Hidit nuk gabon.
Talenti i kampionëve shënoi golin e pestë të sezonit, gol që rezultoi edhe i fitores për Tiranën, teksa më këto tre pikë ekipi i drejtuar nga trajneri Nevil Dede shkon në kuotën e 20 pikëve në vendin e katërt. Sakaq, Kastrioti mban vendin e gjashtë me 17 pikë.