Ballina Lajme nacionale Partia e Haradinajt nuk beson në luftën e Veselit kundër korrupsionit

Partia e Haradinajt nuk beson në luftën e Veselit kundër korrupsionit

13
SHPËRNDAJE

Kadri Veseli është duke tentuar që të nënshkruaj një memorandum me partitë politike për tu zotuar në luftën kundër korrupsionit.

Paktin Kundër Korrupsionit, të cilin e ka propozuar dje kreu i PDK-së Kadri Veseli, nuk e ka përkrahur asnjëra prej subjekteve politike në vend. Shumica prej tyre e kanë marrë joseriozisht këtë iniciativë, të cilën e kanë quajtur edhe farsë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës së djeshme përmes një konference për medie ka prezantuar Paktin 10 pikësh Kundër Korrupsionit, përmes të cilit u ka bërë thirrje të gjithë liderëve të partive politike të Kosovës ta nënshkruajnë atë.

Ai ka deklaruar se këtë dokument do t’ia dërgojë zyrtarisht secilit kryetar partie politike që garon në këto zgjedhje për ta nënshkruar, në mënyrë që lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit të mos mbetet vetëm në letër, por të kthehet në vepra.

Mirëpo ende pa e pranuar këtë dokument, subjektet politike kanë dalë kundër tij. Pothuasje të gjitha partitë janë shprehur se nuk do të votojnë asnjë marrëveshje kundër korrupsionit që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës.

Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, në një përgjigje për “Zërin” është shprehur se nuk pret që partia e saj ta mbështesë Paktin Kundër Korrupsionit të Kadri Veselit. Haxhiu ka thënë se Kadri Veseli duhet të pyetet se kush e ka sjellë korrupsionin në Kosovë. “Nuk e kam parë atë Pakt. Nuk e di nëse do të votohet, por nuk e besoj. Unë rreth kësaj çështjeje kam vetëm një pyetje për Veselin: Kush na e solli korrupsionin në Kosovë?”, ka pyetur Haxhiu.

Ndërsa nga Nisma Socialdemokrate ende nuk kanë dalë me një përfundim se a do ta përkrahin Paktin e Veselit. Ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka thënë për gazetën se brenda partisë ende nuk është shqyrtuar propozimi i PDK-së për luftë kundër korrupsionit.