Ballina Lajme Bota/Rajoni Parlamenti Evropian i heq imunitetin ish udhëheqësit të Katalonjës

Parlamenti Evropian i heq imunitetin ish udhëheqësit të Katalonjës

14
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral - -------
Parlamenti Evropian votoi për t’u hequr imunitetin ish-shefit rajonal të qeverisë së Katalonjës dhe dy ligjvënësve të tjerë separatistë, duke i çuar ata një hap më pranë ekstradimit në Spanjë, ku akuzohen për kryengritje.

Parlamenti njoftoi të martën se ligjvënësit evropianë votuan qartë në favor të heqjes së imunitetit nga ndjekja penale për zotin Carles Puigdemont dhe dy ish anëtarët e kabinetit të tij, Toni Comin dhe Clara Ponsati.

Zoti Puigdemont dhe zoti Comin, të cilët janë në mërgim në Belgjikë, u bënë zyrtarisht anëtarë të Parlamentit Evropian në qershor të vitit 2019, ndërsa zonja Ponsati, që ndodhet në Skoci, është zyrtarisht anëtare nga janari i vitit 2020.

Spanja ka lëshuar urdhër arreste për të gjithë duke kërkuar ekstradimin e tyre lidhur me rolin në organizimin e një referendumi për pavarësi në vitin 2017, që u shpall i paligjshëm nga një gjykatë spanjolle.

Ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzalez Laya, tha se vendimi ishte një shenjë e “respektit për punën e sistemit spanjoll të drejtësisë” dhe një ligjvënës evropian nuk mund të përdorë pozitën e tij për të “mbrojtur veten nga paraqitja në një gjykatë kombëtare”.

“Problemet në Katalonjë zgjidhen në Spanjë, jo në Evropë,” tha ajo.

Parlamenti Evropian tha se u takon sistemeve gjyqësore kombëtare të vendeve të Bashkimit Evropian të përcaktojnë procedurat penale.

Belgjika deri tani ka hedhur poshtë kërkesat e Spanjës. Në muajin janar, një gjykatë, refuzoi të ekstradojë zotin Lluis Puig, një tjetër ish-anëtar separatist i qeverisë katalanase që jeton në Belgjikë, i akuzuar nga autoritetet spanjolle për keqpërdorim të fondeve publike.

Zoti Puigdemont është akuzuar po ashtu për keqpërdorim fondesh publike.

“Nuk do të dorëzohemi”, shkroi partia e tij, Junts, pas njoftimit të Parlamentit Evropian.

“Konflikti politik midis Katalonjës dhe Spanjës ka përfunduar së qeni një çështje e brendshme. Ne e kemi sjellë atë në zemër të Evropës që të vazhdojmë të denoncojmë shtypjen dhe përndjekjen politike të shtetit spanjoll”, thuhet në postim.

Udhëheqës të ndryshëm në favor të pavarësisë u dënuan në Spanjë për të njëjtën akuzë për kryengritje në vitin 2019 dhe u dënuan deri në 13 vjet heqje lirie.

Komiteti për Çështjeve Ligjore i Parlamentit Evropian, votoi muajin e kaluar për heqjen e imunitetit nga ndjekja penale. Në secilin rast, votimi ishte 15 pro, tetë kundër dhe dy abstenime.

---- ----
-----