Ballina Shëndetësi Pandemia, lindjet mundin vdekjet

Pandemia, lindjet mundin vdekjet

20
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Pandemia e Covid-19 ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të vdekjeve në Shqipëri, sipas të dhënave nga INSTAT.

Në vitin 2020 në vend janë shënuar gjithsej 27,605 humbje jete, me një rritje të ndjeshme prej 25.8% në krahasim me një vit më parë. Gjatë vitit 2020, të gjitha qarqet e vendit shënuan rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me vitin 2019. Në total, sipas të dhënave, ndërruan jetë 5,668 persona më shumë në krahasim me një vit më parë.

Viti 2020 ka shënuar nivelin rekord të jetëve të humbura në vend, që prej vitit 1990, kur INSTAT publikon të dhënat.

Në raportin e tremujorit të katërt të vitit 2020, të gjitha qarqet e vendit shënuan rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Gjatë kësaj periudhe qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi, me 199 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana, me 2.504 vdekje.

Rritjen më të lartë në përqindje të vdekjeve e zë qarku i Fierit . 101,6 % më shumë gjatë tremujorit të katërt 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Për vitin 2020 numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 627 vdekje, ndërsa numri më i lartë, në qarkun e Tiranës, me 7.129 vdekje.

Rritjen më të lartë në përqindje të vdekjeve, gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2019, e zë qarku i Lezhës, me 34,2 %.

Numri i lindjeve, po ashtu, shënoi rënie 11,4% për tremujorin e katërt 2020 kur erdhën në jetë vetëm 7.011 foshnje krahasuar me tremujorin e katërt 2019.  Gjatë vitit 2020 lindën 28.075 foshnja, duke shënuar një rënie me 1,7 %, krahasuar me një vit më parë.

Numri i vdekjeve, për tremujorin e katërt 2020 është 9.397, duke shënuar një rritje prej 73,3 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2019. Gjatë vitit 2020 humbën jetën 27.605 persona, duke shënuar një rritje me 25,8 %, krahasuar me një vit më parë. Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e katërt 2020 tregon se janë 2.386 vdekje më shumë se sa lindje. Në vitin 2020 shtesa natyrore ishte 470 lindje më shumë se vdekje.

Shifra e raportuar nga INSTAT për shtesën e vdekjeve është më e ulët sesa ajo e deklaruar nga Drejtoria e Gjendjes Civile, sipas të cilës numri i vdekjeve në 2020 ishte rreth 6 mijë persona.

Lindjet vazhdojnë të tejkalojnë vdekjet

Në raport vërehet se Shqipëria karakterizohet nga një shtesë natyrore pozitive, ku lindjet vazhdojnë të tejkalojnë vdekjet dhe koeficienti bruto i shtesës natyrore ndryshe nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian është pozitiv.

Ky koeficient për Shqipërinë është 2,3 për mijë banorë në 2019. Megjithatë, në tremujorin e katërt 2020, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në tremujorin e katërt 2020, qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana, me 2.307 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra, me 125 lindje.

Rënien më të lartë në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të katërt 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, e zë qarku i Gjirokastrës, me -21,9.

Gjatë vitit 2020, tre qarqe të vendit shënuan rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me vitin 2019, ndërsa nëntë të tjerë pësuan rënie.

Numri më i lartë i lindjeve shënohet në qarkun e Tiranës, me 9.387 lindje, ndërsa ai më i ulët regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me 504 lindje, për vitin 2020.

Rritjen më të lartë në përqindje të lindjeve, gjatë vitit 2020 krahasuar me vitin 2019, e zë qarku i Lezhës, me 3,3 %, ndërsa rënien më të lartë në përqindje, e zë qarku i Kukësit, me 21,1 %.

---- ----
-----