Ballina Lajme Bota/Rajoni Palmer: SHBA është e kënaqur me dialogun Kosovë-Serbi

Palmer: SHBA është e kënaqur me dialogun Kosovë-Serbi

15
SHPËRNDAJE

Uashingtoni është shumë i kënaqur me atë që po ndodh në negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit, ka thënë zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, njëherësh Përfaqësues i Posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Ai i bëri komentet gjatë një vizite në Mostar të Bosnje dhe Hercegovinës.

Palmer nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, rreth pikëpamjeve të ndryshme brenda Bosnjës për marrëveshjen Kosovë-Serbi në Uashington , si dhe dy propozimeve, atë për të zhvendosur ambasadën e Bosnjës në Jerusalem si dhe për të shqyrtuar njohjen e Kosovës.

“Sot, unë jam në Mostar për të diskutuar se çfarë po ndodh këtu. Shtetet e Bashkuara janë me të vërtetë shumë të lumtura për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë dhe Uashingtoni është shumë i kënaqur me rezultatet e atyre bisedimeve dhe marrëveshjeve që janë arritur”, tha Palmer.

Më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.

Në bazë të dokumenteve të nënshkruara Serbia ka rënë dakord për zhvendosjen e ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, dhe Kosova të vendos marrëdhënie diplomatike me këtë shtet. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se poashtu do të hapin ambasadën në Jerusalem.

Disa ditë pas arritjes së marrëveshjes, anëtarët e presidencës trepalëshe në Bosnje, propozuan që edhe ky vend të zhvendosë ambasadën në Jerusalem si dhe të shqyrtohet çështja e njohjes së Kosovës.

Kërkesa për të shqyrtuar njohjen e Kosovës është bërë nga anëtari i presidencës, Zhelko Komshiq dhe tjetra për zhvendosjen e ambasadës nga anëtari tjetër i presidencës, Millorad Dodik.

Këto kërkesa do të shqyrtohen në dy seanca të jashtëzakonshme të presidencës trepalëshe të Bosnjës më 17 shtator.(rel)

-----