Ballina Shëndetësi Palestrat, kura e re për depresionin e shqiptarëve? Ja ç’thonë psikiatrit dhe...

Palestrat, kura e re për depresionin e shqiptarëve? Ja ç’thonë psikiatrit dhe psikologët!

50
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

“Dhe mos harro të dalësh për vrap apo qoftë edhe për ecje nga liqeni!”, u kujdes t’ia përsëriste psikiatrja, ndërsa e përcillte pa ndonjë recetë ku i rekomandonte qoftë edhe një qetësues për ankthin a ndonjë antidepresant. Me të qarat e pakontrolluara, ndërsa i rrëfente shqetësimet që e kishin çuar deri në derën e saj, duke kapërcyer stigmën me të cilën shoqëria vishte Spitalin Psikiatrik ende sot e kësaj dite, ajo ishte e bindur se vuante nga depresioni. Bindje që, mjekja me emër të një krijese interesante të mitologjisë shqiptare, ia rrëzoi. “Ti vuan nga trishtimi dhe dashuron si në shekullin e 17-të”, i tha e në atë moment, e drejtuar për nga dera si për t’iu arratisur  atij vendi që e lidhte veç me filmat me peshë të rëndë psikologjike, mjekja me iu duk si krijesë e përtej bote, e mbuluar me një aurë të bardhë. Me siguri ishte efekti i përparëses.

Ecja e aq më tepër vrapi nuk iu duk punë për të. Peshonte diç më shumë se 40 kilogramë ato ditë, marrëdhëniet me ushqimin i kishte si mos më keq dhe luhatjet e humorit ia bënin të papërballueshme edhe punët më të vogla të ditës.

“Merr nga ato kokrrat që të kam thënë. I pinë të gjithë, tek puna ime nuk nisin pa e pirë të paktën  një. Madje edhe mjekët vetë. Ty të duhet një gjysmë nga ai “0.25 mg” dhe do të ndihesh mirë”, e këshilloi një mik. Ky ishte takimi i parë  me “xanax”-in, që fuqi  çudibërëse kishte pak. Duke eksperimentuar, kuptoi se një gjysmë doze ia kontrollonte lotët e i jepte një topitje, ku për pak kohë harronte çdo gjë. I kujtonte vetes çdo ditë se ishte nga ai lloj që ia dilte vetë, pa ndihmën e medikamenteve, por  një dorë ndihmë nga jashtë saherë e kapte një krizë e beftë paniku apo i mbahej fryma nga ankthi ia ktheu mendjen se i duhej.

“M’u deshën vite t’i rikthesha këshillës së psikiatres së parë”, rrëfen Ana, një vajzë në të tridhjetat, duke pohuar se stigmën e kapërceu qysh në atë takim dhe nuk ka hezituar të kërkojë mendimin e psikologëve saherë mendonte se shëndeti i saj mendor kishte nevojë. “Ndoshta vitet e kaluara jashtë Shqipërisë ma bënë ta kapërcej këtë mentalitetin prapanik dhe etiketimin e çdo shqetësimi të mendjes me “çmenduri”, vijon ajo ndërsa zbulon se gjeti një terapi për veten në internet.

“Lexoja histori të shumë blogereve të fitness-it, që rrëfenin se e kishin nisur rrugëtimin me ushtrimet fizike dhe palestrën në një pikë kritike për jetën. Dikush kishte vuajtur nga anoreksia a bulimia, një tjetër nga depresioni, një tjetër nga ankthi apo ajo që njihet si OCD-medimet obsesivo-kompulsive. Të gjitha rrëfenin se ia kishin dalë t’i kapërcenin problemet e shëndetit mendor duke iu dedikuar palestrës, jogas, vrapit e kështu me radhë”.

Vetëm atëherë vendosi të shkonte në një palestër. “Isha skeptike dhe përtace”, të them të drejtën pranon ajo duke qeshur “dhe e nisa me idenë e një benefiti fizik. Kisha disbalancë hormonale dhe kisha shtuar në peshë. Por pas disa vitesh m’u kthye në stil jetese”. Fiziku i saj duket shumë i formuar dhe me muskuj të dukshëm, por a ka pasur të njëjtat benefite edhe shëndeti i saj mendor?

“Ndihem shumë herë më mirë.  Çdo seancë në palestër më duket si shkarkim i të gjithë toksicitetit dhe stresit të mbledhur gjatë ditës”, vijon ajo që megjithëse thotë se e ka kapërcyer disi stigmën që i lidh njerëzit që vuajnë nga shëndeti mendor, nuk do të donte të tregohej me gisht, nga masa e paqartë që formon shumësia e individëve, që ndoshta shkëputur nga turma mund të ketë të njëjtat apo në mos probleme edhe më thella, që ka frikë t’i adresojë.“Por vijoj të ndjek seanca me psikologë”, rrëfen ajo “vetëm se tani nuk shkoj e bindur se vuaj nga depresioni”, qesh.

Një anketim i Institutit të Shëndetit Publik, i kryer më 2018-n, përllogariste se afro 70 përqind e grave të anketuara dhe 57 përqind e burrave pohuan se kishin kaluar një përvojë depresioni, dy javë para sondazhit.

Por edhe 31 përqind  e grave dhe 43 përqind  e burrave, nuk përjashtuan se kishin përjetuar depresion para studimit. Por edhe këto të dhëna, për shkak të stigmës, nuk dukeshin ato që tregojnë ralitetin.Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përqindja e popullsisë globale me depresion vlerësohet të jetë 4.4%,  raport ky që ndryshon sipas gjinisë dhe moshës.

Sipas një artikulli të botuar në  revistën “Monitor”, thuhej se importet e qetësuesve  si Loram, Xanax apo Citolex, ishin rritur ndjeshëm në tre vitet e fundit. Po ashtu ishte rritur ndjeshëm edhe konsumimi i tyre pa recetë. Ana thotë se gjatë viteve që jetoi jashtë e pati të vështirë t’i siguronte pa recetë, “por edhe në Shqipëri ka ndryshuar vitet e fundit. Në Farmaci nuk t’i japin pa recetë.”

Megjithatë, me nisjen e ushtrimeve fizike, pohon se i ka eliminuar pothuajse fare qetësuesit. “Por e bëra gradualisht”, pohon, e fokusuar tek fuqia që ka vetë mendja për ndryshim “praktikoj gjithashtu meditimin dhe jogën”, thotë, duke shtuar se i shërben ta nisë ditën me pozitivitet.

Por efeket pozitive të ushtrimeve fizike ndaj depresionit nuk i pohon vetëm Ana apo dhjetra blogere fitness-i- shumë prej tyre të shndërruara në personal trainer-, por edhe shkenca.Shumë studime kanë zbuluar se aktiviteti fizik lidhet  me një rrezik më të ulët të zhvillimit të depresionit  dhe sjell rezultate më të mira për njerëzit që vuajnë nga depresioni.

Një studim, i botuar në JAMA Psychiatry, hedh dritë mbi këtë pyetje. Duke përdorur të dhëna gjenetike nga më shumë se 600  mijë  të rritur të regjistruar në studime të shumta gjenomike, studiuesit zbuluan “më shumë prova se kurrë më parë se aktiviteti fizik luan një rol të rëndësishëm dhe të mundshëm shkakësor në uljen e rrezikut për depresion”, thotë Karmel Choi, një studiues  klinik në gjenetikën psikiatrike dhe neuro-zhvillimore në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts dhe bashkautor i studimit.

Për psikiatrin shqiptar, Pasho Maksuti, trajtimi  i depresionit dhe çrregullimeve të tjera, duke përfshirë ankthin apo edhe skizofreninë, duhet trajtuar në mënyrë të shumanshme. “Kjo do të thotë që pas diagnostifikimit të  saktë duhet bërë plani i trajtimit. Kjo nënkupton që krahas terapisë medikamentoze,  të përdoret terapia okupacionale. Terapia fizikale me shtim të aktiviteti fizik, jane shumë  të nevojshme krahas terapisë  me mjekime dhe  psikoterapive”, përfundon psikiatri Maksuti.

Por, ndonëse ushtrimet fizike mund të përmirësojnë trajtimin e depresionit ato nuk janë një kurë për çështjet e shëndetit mendor  dhe vetë depresioni mund të jetë një pengesë për të marrë mjaft aktivitet fizik. (Pavarësisht nga gjetjet e studimit JAMA, shumë prova anekdotale sugjerojnë se shumë njerëz me depresion e kanë të vështirë të ushtrojnë, për shkak të  efekteve  anësore të antidepresivvë e si lodhja dhe shtimi i peshës dhe vështirësia e gjetjes së  energjisë për të ushtruar. Por ndërsa ushtrimet nuk janë zgjidhja e përsosur  për depresionin, studimet kanë treguar se mund të sjellin ndryshimin. Një vëzhgim i vitit 2018 zbuloi se aktiviteti fizik – posaçërisht trajnimi i rezistencës, si ngritja e peshave – mund të zvogëlojë simptomat e depresionit, ndoshta edhe në mënyrë efektive, ashtu  si trajtimet konvencionale si terapia njohëse e sjelljes dhe medikamentet  për disa njerëz. Studime të tjera kanë zbuluar se praktikisht çdo lloj stërvitjeje, nga kardio në joga, mund të ulë simptomat e depresionit.

“Fillimisht e nisa me ushtrime të lehta kardio, ndërsa tani nuk mund të bëj pa ngritje peshash”, thotë Ana, e cila në të ardhmen dëshiron të marrë një certifikatë si trajnere personale. “Por më shumë sesa të përgatitja të tjerët për një fizik perfekt, për arsye vanitoze, do të doja të merresha me ata që luftojnë çdo ditë me sëmundje të padukshme si ankthi dhe depresioni”, thotë ajo.

Edhe psikiatri Neli Demi rendit disa të mira të ushtrimeve fizike në lehtësimin e simptomave të depresionit dhe të ankthit “…duke lëshuar endorfinat dhe disa neurotransmetues  të tjerë, që krijojnë një ndjesi mirëqenieje të përgjithshme. Heq  përkohësisht nga vëmendja shqetësimet dhe ju shkëput  nga cikli negativ i të  menduarit që  ushqen ankthin apo depresionin”, vijon psikiatri dhe psikoterapisti, Demi.

Po ashtu sipas ti, ushtrimet fizike rritin vetëbesimin, duke vënë  disa pikësynime në  ushtrimet tuaja dhe duke i arritur ato. “Rekomandohet te fillohet me hapa të  ngadaltë   e më  pas,  të  mund të  shtohet intensiteti i ushtrimeve. Arritja e një forme të  mirë  fizike dhe pamje trupore më  të  tonifikuar mund t’ju  bëjë të  ndiheni më  mirë  në  veten dhe pamjen tuaj.”, vijon psikiatri, duke shtuar se aktiviteti fizik rrit edhe mundësitë për ndërveprim social, mungesa e të cilit vihet re tek individët që vuajnë nga ankthi apo depresioni. Një përshëndetje apo bisedë  e shkurtër me kalimtarë  apo ushtrues të  tjerë në  park mund të  ndihmojë  në  përmirësimin e humorit.

“Përballojeni gjendjen në  një mënyrë te shëndetshme. Përdorimi i alkoolit apo drogave për të ”mbytur” dhimbjen psikologjike, apo të  priturit se do të  kalojë  vetë , mund të  përkeqësojnë akoma më shume gjendjen. Kërkojini ndihme burimeve tuaja të  brendshme, familjes dhe miqve,  si dhe profesionistëve!”, përfundon Demi.

Është ende e paqartë se si ushtrimet fizike  mund të arrijnë këto efekte, por studiuesit kanë teori. Ushtrimet rigoroze, si ngritja e peshave dhe vrapimi, mund të rrisin qarkullimin e gjakut në tru, duke ndryshuar potencialisht strukturën e tij dhe përbërjen qelizore. Ushtrimet gjithashtu mund të shkaktojnë çlirimin e endorfinave që rrisin humorin. Theks i jogës në punën e frymëmarrjes dhe vëmendjen mund të luajë gjithashtu një rol.

“Efektet pozitive te aktivitetit fizik në  trajtimin e shqetësimeve psikologjike si depresioni apo ankthi janë të  njohura dhe të  mbështetura nga studime shkencore të shumta. Studimet tregojnë se ushtrimet fizike përmirësojnë gjendjet depresive dhe përjetimin e ankthit, ulin nivelin e stresit, përmirësojnë kujtesën dhe përqendrimin, ndihmojnë me pagjumësinë, rrisin nivelin e energjisë dhe stabilizojnë humorin”, thotë psikologia Enila Cenko, duke shtuar se  këto efekte psikologjike janë të  shoqëruara dhe me efekte pozitive në  funksionimin e trurit, duke relaksuar  muskujt dhe ulur tensionin trupor. “Te gjitha këto ndikojnë pozitivisht ne gjendjet emocionale dhe funksionimin mendor.”, përfundon ajo.

Por nuk keni pse të ushtroheni shumë për të parë ndryshime.  Ana thotë se sa më në formë fizike është, aq më e fortë ndihet mendërisht. Ajo thotë se edhe gjatë karantinës nuk i ndërpreu ushtrimet fizike megjithëse të gjitha palestrat vunë drynat deri në qershor, kur një urdhër i qeverisë i rihapi, me kushtin e zbatimit të masave anti-covid. “Jam ushtruar gjatë gjithë kohës në shtëpi. E nisja me joga në mëngjes dhe e përfundoja duke ngritur bidonat me ujë, në vend të girave”, qesh ajo, ndërsa shton se tashmë i është kthyer palestrës me ritmin normal, duke e frekuentuar çdo ditë të javës.

Edhe mjeku psikiatër, Eugjen Sotiri thotë se e rekomandon kryerjen e aktiviteteve fizike, krahas metodave të tjera, duke shtuar se ato kanë efekt, por varet gjithnjë se ç’efekt kërkon mjeku dhe pacienti në trajtimin e tij.

“Nuk kisha qenë ndonjëherë tip palestre, madje edhe në shkollë i lija gjithnjë orët e fizkulturës duke gjetur ndonjë justifikim”, thotë duke qeshur Ana, ndërsa ngre çantën e palestrës në shpinë dhe thotë se po bëhet vonë. A nuk ke frikë se mund të të shndërrohet në varësi?, e pyes. “Gjithsesi do të ishte varësi e mirë”, thotë, “pasi nuk jam e interesuar tek suplementet për rritje të masës muskulore dhe çdo ditë zbuloj dhe mahnitem se çfarë është në gjendje të bëjë trupi im”.

Palestrat apo ushtrimet fizike mund të mos jenë kura mrekullibërëse për sëmundje si depresioni apo ankthi, por  krahas trajtimit profesional, mund të ishte një alternativë e mirë për të shkarkuar stresin, ndërsa mendja forcohet bashkë me trupin. (gazetaSI)

---- ----
----
----- ----
-----