Ballina Lajme nacionale Padia e Ramës për Haradinajn/ Analistët “kryqëzojnë” Ramën dhe flasin për hipokrizi...

Padia e Ramës për Haradinajn/ Analistët “kryqëzojnë” Ramën dhe flasin për hipokrizi politike

22
SHPËRNDAJE

Jehona e padisë së Edi Ramës ndaj kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj me pretendimin se ka shpifur ndaj tij, vazhdon reagimet të këtij të fundit.

Në padinë e bërë publike nga emisioni “Betimi për Drejtësi” thuhet se deklaratat janë bërë në kuadër të debateve rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë e që, në parim, siç theksohet në padi, do të duhet të rezultojë në një marrëveshje reciprokisht të detyrueshme për të dyja palët dhe njohje reciproke mes këtyre dy shteteve.

Publicisti dhe shkrimtari, Milazim Krasniqi tha për Zërin e Amerikës se padia është për të ardhur dhe hapje e një teme të panevojshme. “Një temë e tillë krijon në radhë të parë dëshpërim te shqiptarët; nga ana tjetër çdo konflikt ndërmjet Kosovës e Shqipërisë rrezikon të dobësojë frymës Atlantike dhe europiane e mund të inkurajojë qarqet pan-sllaviste ruse që të penetrojnë më shumë në rajon, në këto hapësira prandaj po them se e shoh si një arrogancë, si një egoizëm pothuajse pervers, i cili nuk i ka hije një kryeministri të shtetit shqiptar”,tha ai.

Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi, u shpreh se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë të dyanëshme, njëra që lidhet me bashkëpunimin e qytetarëve dhe tjera politike dhe institucionale që aktualisht po ndikon në uljen e ndikimit shqiptar në rajon.

“Me atë që pamë, padinë që e ushtroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kundër (Ramush) Haradinajt, them se u mbërrit kulmi i një hipokrizie politike. Diçka të tillë nuk e kanë parë asnjëherë  as vendet ballkanike mes tyre, që të padisin kryeministrat.

Dhe kjo erdhi në kohën kur u shënua përvjetori I masakrës së Reçakut, një masakër që pastaj i parapriu ndërhyrjes të NATO-s, u shënua nga e gjithë bota, u shënua edhe nga aleatët, ndërkohë që Shqipëria jo vetëm që nuk e shënon, por kryeministri i saj i bën padi kryeministrit në detyrë Haradinaj, i cili përkundër qeverisjes së tij e cila nuk mund të quhet e kënaqshme, ka treguar të paktën stabilitet në disa kundërvënie ndaj disa kërkesave të Serbisë”, tha ai.