Ballina Lajme Bota/Rajoni Orban kërcënon të nxjerrë partinë e tij nga grupi i Partisë Popullore...

Orban kërcënon të nxjerrë partinë e tij nga grupi i Partisë Popullore Evropiane

35
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Kryeministri i krahut të djathtë të Hungarisë ka kërcënuar të tërheqë partinë e tij nga një grup i ligjvënësve konservatorë në Parlamentin e Bashkimit Evropian ndërsa grupi konservator evropian është më afër një vendimi për përjashtimin e delegacionit të tij më të madh hungarez.

Në një letër të dielën drejtuar kryetarit të grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, Kryeministri Viktor Orban dënoi propozimin e së premtes për të lejuar përjashtimin e tërësishëm të një partie të qendrës së djathtë nga EPP, në vend të mundësisë për të larguar vetëm eurodeputetë siç lejohet me rregullin aktual.

Zoti Orban shkroi në letër se rregullat e propozuara, të cilat pritet të miratohen me dy të tretat e votave në një takim të grupit të EPP-së të mërkurën, ishin “të bëra me porosi” për të sanksionuar partinë e tij Fidesz dhe se “nëse Fidesz nuk është e mirëpritur, ne nuk ndjehemi të obliguar të qëndrojmë në Grupin e Partisë Popullore Evropiane”.

Ky është zhvillimi i fundit në një serë përplasjesh të vazhdueshme midis partisë së djathtë hungareze Fidesz dhe Partisë Popullore Evropiane, familjes më të madhe politike në Evropë. Ky hap e sjell më afër përjashtimin e partisë së zotit Orban nga grupi konservator. Partia Popullore Evropiane pezulloi anëtarësinë e partisë hungareze Fidesz në 2019 për shkak të shqetësimeve se po gërryente sundimin e ligjit në Hungari, duke u përfshirë në retorikën anti-Bruksel dhe duke sulmuar udhëheqjen e EPP-së.

Rregullat e reja të Partisë Popullore Evropiane do të lejonin që partitë anëtare të pezulluara të mund të përjashtoheshin me një shumicë të thjeshtë e jo me dy të tretat e votave, duke i hapur rrugën përjashtimit të 11 delegatëve të partisë Fidesz nga grupi konservator evropian.

Disa nga delegacionet më të moderuara kombëtare të EPP-së kanë bërë përpjekje për përjashtimin e delegatëve të partisë Fidesz, duke argumentuar se ajo nuk përfaqëson më vlerat e grupit. Në një deklaratë në dhjetor, Grupi EPP shkruante se “sulmet e shpeshta nga përfaqësuesit e Fidesz-it ndaj Bashkimit Evropian dhe vlerave të tij nuk janë në përputhje me parimet thelbësore të EPP-së”.

Gjithashtu në dhjetor, EPP votoi për pezullimin e Tamas Deutsch, kreut të delegacionit të partisë Fidesz, duke i hequr atij të drejtën për të folur në seancat plenare dhe duke e hequr nga postet e tij në grup. Vendimi, i cili lejoi zotin Deutsch të mbetej anëtar i EPP-së, erdhi pasi ligjvënësi e krahasoi udhëheqësin e Grupit të EPP-së, Weber me Gestapon dhe policinë sekrete të epokës komuniste të Hungarisë.

Në letrën e tij, Orban shkruante se ai do të tërhiqte partinë e tij nga Grupi parlamentar i EPP-së nëse miratohen rregullat e reja, duke sinjalizuar se ai nuk do të priste për të parë nëse EPP do të votonte për përjashtimin e partisë së tij më vonë.

Një zëdhënës i Grupit EPP në Parlamentin Evropian tha se ndryshimi i rregullave “nuk ka asnjë lidhje me situatën e (partisë) Fidesz” dhe se votimi do të zhvillohet ashtu siç është planifikuar të mërkurën, pavarësisht letrës së zotit Orban.

“Ka një mbështetje të shumicës së gjerë për rregullat e reja”, i tha Pedro Lopez de Pablo agjencisë së lajmeve Associated Press në një email. “Nëse pas miratimit të rregullave, disa deputetë të grupit do të dëshironin të fillonin procedurën e pezullimit ose përjashtimit të partisë Fidesz, ata do të duhet ta bëjnë atë bazuar në rregullat e reja. Ne nuk po i ndryshojmë rregullat e kësaj procedure të Grupit EPP për shkak të partisë Fidesz.”

Othmar Karas, deputet austriak i EPP-së dhe nënkryetar i Parlamentit Evropian, shkroi në Twitter të hënën se votimi mbi ndryshimet procedurale do të avanconte ashtu siç ishte planifikuar.

“Unë nuk do të lejoj që zoti Orban të fitojë përsëri me shantazhe”, shkroi zoti Karas.

---- ----
----
-----
-----