Ballina Sport Olsi Rama skanon Partizanin dhe kampionatin: Dua vendin e Vllaznisë, ja çfarë...

Olsi Rama skanon Partizanin dhe kampionatin: Dua vendin e Vllaznisë, ja çfarë dhurate i kam kërkuar babagjyshit

11
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Në një prononcim për “Zona Gola”, Olsi Rama, drejtori i Partizanit, foli për gjithçka, negociatat me Ferhan Hasanin, derbin e fundit, çështjen Çinari, Vllazninë kryesuese etj.

Daja për një kohë të gjatë?

Për këtë arsye e kemi marrë Dajën. E ka treguar jo vetëm me Skënderbeun që ishte në Kupat e Europës dhe kishte lojtarë nga më të mirët në Shqipëri. Ia kam thënë Dajës që mrekullia jote është me Flamurtarin dhe Skënderbeun e sezonit të kaluar, pasi u dha identitet si skuadra në vështirësi. Daja është trajneri që unë e dua për një kohë të gjatë te Partizani.

Gabimet në merkato?

E thënë në mënyrë popullore, Partizani u mundua të shtrinte këmbët më shumë seç kishte jorganin. Sollëm disa lojtarë që për nga cilësia ishin të mirë, por që nuk u përshtatën në kampionatin shqiptar, por edhe me trajnerët e huaj. Problemet e gjuhës është një tjetër arsye që i pengon lojtarët. Këtë vit jemi munduar të afrojmë lojtarë me kujdes. Murataj e ka treguar se e ke merituar të vijë te Partizani. Junior ka luajtur pak dhe do ta tregojë në vazhdim, pasi ka fatin e mirë që ka luajtur në Ballkan dhe është një djalë që punon shumë.

Superioren po e kryeson Brdariç ama…

Brdariç po bën shumë mirë dhe ka komplimentat e mija. Në futboll duhet edhe fat, pasi edhe fati ndhimon më të mirët. Do të flisnim ndryshe nëse Vllaznia nuk do të shënonte në fund ndaj Bylisit apo Tiranës, por fati ndihmon gjithmonë ata që e kërkojnë më shumë. Më vjen mirë që në Shkodër është kthyer entuziasmi dhe kjo Vllazni i duhet Superligës.

Vendi i dytë dështim?

Ne garën e kemi me veten, duam të ndërtojmë një Partizan për të ardhmen dhe jo vetëm për këtë sezon. Duam të bëjë një cikël fitues si Real Madridi apo Juventusi. Pra, nuk është dështim nëse dalin në vend të dytë dhe bindim me lojë.

Kompleksi Partizani?

Është dhurata që i kam kërkuar babagjyshit për vitin e tretë radhazi. Për arsye burokratike kanë ngecur punimet, pasi ne duam t’i bëjmë gjëra siç duhet. Ne jemi si ata endacakët që luajnë në Elbasan dhe stërvitemi në Tiranë. Shpresojmë që së pari të çlirohemi nga pandemia dhe pastaj të luajmë në stadiumin tonë.

Tifozët në derbi?

Jam preokupuar maksimalisht që çdo gjë të bëhet sipas protokolllit. Kam pasur takime me Tiranën dhe FSHF-në që stadium të kishte 20 tifozë. Nuk ishin aq sa ishin në Shkodër dhe ishin të balancuar. Kishte më shumë dashamirës të Tiranës dhe “Fair Play” ishte në nivel maksimal.

Ferhan Hasani, alternativë?

Të gjithë lojtarët e këtij niveli janë objektiv për Partizanin. Unë jam zyrtar i Partizani dhe nuk mund të flas për një lojtar që nuk ka firmosur zyrtarisht për ne. Mos u surprizoni nga asnjë emër, pasi jemi gjithmonë në punë. Partizani nuk do të bëjë oferta për të marrë lojtarët e të tjerëve. Kam dëgjuar shifra të mëdha që fliten dhe kam qeshur, por kjo prish harmoninë brenda skuadrës.

Çështja Çinari?

Përgjegjësi mbajnë disa rregulla të vjetra të FIFA-s. Klubi i Istras fitoi nga një vakum ligjor dhe na paditi neve. Nuk e akuzoj lojtarin, pasi Çinari kishte lajmin se mund të firmoste me këtë skuadër dhe u gënjye nga mungesa e eksperiencës dhe nga dëshira e madhe për të luajtur jashtë. Kjo çështje u mbyll me një fund si në përralla, pasi ai u rikthye dhe ne fituam në derbi me golin e tij.

Dëmshpërlim?

Kemi marrë lajmin e merkatos dhe nuk kemi pasur kohë për të parë këto gjëra të tjera juridike. Është e vështirë të marrësh lojtar cilësor në janar dhe këtë e dinë të gjithë.

A jeni i kënaqur me lojtarët që ngelën pjesë e Partizanit?

Pa doreza fare them që dështimi i Partizanit sezonin e kaluar nuk ishte faji i lojtarëve. Faji ishte i stafit teknik dhe mosadaptimi i projektit. E vetmja gjë që më shqetësonte në fillim të sezonit ishte se kishim mungesa lojtarësh për të dubluar rolet. Të gjitha mangësitë reflektohen edhe në lojën e Dajës, pasi lojtarët duhet të sakfrifikojnë shumë edhe në mbrojtje. Për këtë arsye jemi skuadra që nuk kemi pasur shumë gola. Që me hapjen e merkatos do të mendojmë për shënimin e golave edhe pse jemi në vendin e dytë. Ferhan Hasani do të përmirësonte çdo skuadër, edhe Partizanin gjithashtu.

Çfarë note meriton Partizani?

Nuk mendoj se Vllaznia meriton notën 10, por 8. Ne meritojmë notën 7. Kemi pasur ndeshje që kemi merituar notë më të lartë, por edhe notën 4, kur edhe mund të humbisnim. Dua të vë në dukje një deklaratë time që kam bërë në fund të kampionatit të kaluar. Kemi pasur dy ndeshje me Bylisin dhe Vllazninë dhe që aty çaluam deri në fund të kampionatit. Tirana në derbi ishte rreth 8 pikë larg dhe në kampionatin tonë 9 pikë tani nuk janë shumë. Dua të ndërroj vendin e Vllaznisë, por me lojtarët tanë, jo ata të Vllaznisë.

Arbitri në derbi?

Dua t’i suportoj arbitrat gjithmonë. Gjykimi në derbi kishte probleme, por nuk ndikoi në rezultat. Kam parasysh kartonin e kuq të Bardhit apo penalltinë e Melos. Këto momente kapin “mat” arbitrat. Ishin gjyqtarët më të mirë të Superligës dhe kam respekt për Jorgjin dhe Metën. Siç na bëjnë ne kritika, ashtu edhe neve bëjmë kritika ndaj gjyqtarëve në mënyrë që të përmirësohen akoma më shumë. Penalltia e Melos ishte njësoj si ajo e Liverpool në Angli.

Kujtoj këtu edhe penalltinë kundër që kemi marrë ndaj Kukësit, që lojtari gjuajti topin e më pas u përplas me portierin dhe për këtë u vendos penallti. Bardhi dhe Batha morën kartonin e parë të verdhë të dy njësoj. Batha e mori kartonin për reagimin që bëri ndaj lojtarit tonë dhe ky rast duhej ndëshkuar me karton të kuq. Kartonin e dytë të verdhë e mori për ofendim dhe jo për faullin. Nuk është aspak e hijshme për Bathën, që ka luajtur me Partizanin, të ofendojë stolin e Partizanit. Është e pafalshme për një lojtar si ai që të bëjë këto gjeste.

Ferhan Hasani?

Hasani është një nga lojtarët më të mirë shqiptar në qarkullim. Unë kam një marrëdhënie miqësore dhe sa herë vjen në Tiranë takohemi dhe bëjmë çdo lloj muhabeti, përfshirë edhe futbollin. Pashë edhe fotografitë dhe nuk u fsheha fare, pasi isha në mes të bllokut dhe takova dy miq të mirë nga Maqedonia.

---- ----
----
----- ----
-----