Ballina Lajme Bota/Rajoni Numër i ulët pjesëmarrësish në tubimin e parë të Trump, presidenti habit...

Numër i ulët pjesëmarrësish në tubimin e parë të Trump, presidenti habit për çështjen e testimeve për Covid-19 (FOTO)

91
SHPËRNDAJE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka zhvilluar këtë të diel tubimin e tij të parë në fushatë, pas mbylljes së shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Duket se nga ky takim i parë elektoral për rizgjedhjen e tij që u mbajt në Tulsa të Oklahomës, Trump ka mbetur i zhgënjyer për shkak të pjesëmarrjes së ulët në sallë.

Në fillim të kësaj jave, kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se mbi 1 milion persona kishin kërkuar të ishin të pranishëm në këtë event, por në fakt salla prej 19 mijë ulësesh nuk u mbush plotësisht.

Mediat amerikane shkruajnë se personat që morën pjesë në tubim nënshkruan dhe një dokument ku i hiqnin përgjegjësinë organizatorëve të fushatës nëse prekeshin nga ndonjë sëmundje.

Gjithashtu bëhet e ditur se disa orë para fillimit të ngjarjes, zyrtarët thanë se gjashtë anëtarë të stafit të përfshirë në organizimin e tubimit rezultuan pozitivë me Covid-19.

Ndërkohë në fjalën e tij, presidenti Trump falënderoi të pranishmit në miting dhe fajësoi mediat dhe protestuesit antiracizëm se mbajtën larg mbështetësit e tij. Në fjalën e hapjes,  Trump tha se kishte “shumë njerëz të këqij jashtë, që po bënin gjëra të këqija”, por pa i specifikuar.

Në lidhje me pandeminë e koronavirusit, Trump tha se iu kishte kërkuar zyrtarëve që të ngadalësonin testimin sepse kjo gjë çon në zbulimin e më shumë rasteve. Ai e përshkroi testimin si një “thikë me dy presa”.

“Kjo është pjesa e keqe: Kur bëni testime në përmasa të mëdha, do të gjeni më shumë njerëz dhe do të gjeni më shumë raste. Kështu që unë thashë ngadalësoni testimin. Ata vetëm testojnë”, u shpreh Trump. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha më vonë tha se presidenti ishte qartazi duke bërë shaka.

Nga ana tjetër, rivalin e tij demokrat në zgjedhjet presidenciale Joe Biden, Trump e përshkroi si “një kukull të pafuqishëm të së majtës radikale”.

Presidenti gjithashtu përdori një ton të ashpër kur foli për protestat antiracizëm dhe rrëzimin e statujave, të cilat filluan pas vrasjes së, George Floyd. “Turma të krahut të majtë po përpiqen të vandalizojnë historinë tonë, të përdhosin monumentet tona të bukura dhe të persekutojnë këdo që nuk mendon si ata”, u shpreh Trump.

-----