Ballina Shëndetësi Nuk ndalet emisioni “Hipokrati”, vjen sërish me një megasurprizë për publikun

Nuk ndalet emisioni “Hipokrati”, vjen sërish me një megasurprizë për publikun

32
SHPËRNDAJE

Pas iniciativës për të duartrokitur nga ballkonet e shtëpive bluzat e bardha në vijën e parë të frontit në luftën kundër Koronavirus, në emisionin e datës 11 Prill, në studion e Hipokratit do të jetë një mik shumë special dhe i dashur për publikun shqiptar.

Ai është këngëtari i mirënjohur Italian Roby Facchinetti, ish këngëtar i grupit më të famshëm të muzikës italiane I POOH, grup shumë i nohur në botë, por sidomos në Shqipëri, duke filluar nga brezi i viteve `70 dhe deri në ditët tona.

Roby Facchinetti, jeton në Bergamo, qytet në Itali i cili është nga më të dëmtuarit në jetë njerëzish nga Koronavirus. Ai po përjeton dramatikisht situatën me të cilën po përballet qyteti i tij i lindjes dhe emocionet e tij i shprehu së fundmi me krijimin e këngës “Rinascero, Rinascerai”, e cila brenda pak orësh bëri xhiron e botës dhe sot, në pak ditë, ka më shumë se 15 milion klikime në rrjetet sociale.

Producenti i emisionit “Hipokrati”, Raimond Cimbi, e ftoi këngëtarin Roby Facchinetti të grupit I POOH, për të prezantuar këngën e re, ekskluzivisht në emisionin që do të transmetohet ditën e shtunë, dt. 11 Prill, ora 17:30 në Top Channel.

Me këtë rast do të zhvillohet një bisedë nëpërmjet Skype me këngëtarin Roby Facchinetti, i cili do të ndajë me shqiptarët, nëpërmjet emisionit Hipokrati, realitetin dramatik me të cilin po përballet Lombardia, si një vatër e shpërthimit të epidemisë së Koronavirusit për Italinë.

Në përfundim të bisedës, do të transmetohet ekskluzivisht për emisionin Hipokrati kënga simbol e pandemisë së Koronavirusit “Rinascero`, Rinascerai” që ka kuptimin “Do të rilind, Do të rilindësh”.

-----