Ballina Lajme nacionale Nuk kërkojnë bashkim, shqiptarët e Luginës kanë këtë kërkesë nga Kosova

Nuk kërkojnë bashkim, shqiptarët e Luginës kanë këtë kërkesë nga Kosova

18
SHPËRNDAJE

Shqiptarët e Luginës kërkojnë mbrojtje nga Kosova.

Libra shqip, respektim të gjuhës, investime në Luginë, njohje të diplomave të Kosovës nga Serbia, përfshirja e shqiptarëve në institucionet edhe ato të sigurisë.

Këto janë disa prej kërkesave të përfaqësuesve të Luginës së Preshevës drejtuar përmes një letre deputetëve të Kosovës, të cilët do të diskutojnë të hënën për këtë pjesë të shqiptarëve që kanë mbetur në territorin serb.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të flasin për gjendjen e keqe në Luginë në kohën kur Presidenti i Shtetit, Hashim Thaçi, prej një vitit ka nisur diskutimet për bashkimin e kësaj pjese të Serbisë me Kosovën.

Në pikën dy të letrës thuhet se Serbia s’ka respektuar marrëveshjen për integrimin proporcional të shqiptarëve në strukturat e institucioneve publike dhe shtetërore të të gjitha niveleve.

Kosova dhe Shqipëria kishin ndarë 200 mijë euro për maternitetin në Luginë të Preshevës. Por, prej 2013 s’ka pasur asnjë lëvizje më nga dy shtetet në përkrahje të shqiptarëve të Luginës.

Pikërisht, tash, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës po i bëjnë thirrej Prishtinës e Tiranës të funksionalizojnë fondin në përkrahje të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

“Funksionalizimi i “Fondi i përbashkët për Luginën e Preshevës” i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë në vitin 2014 në mbledhjen e përbashkët në Prizren. Ky vendim ka ngritur shpresë për një dinamizëm të angazhimit dhe veprimeve konkrete të dy qeverive për Luginën e Preshevës”, thuhet më tej në letër.

Lugina e Preshevës e banuar me shumicë shqiptare kishte mbetur nën Serbi edhe pas çlirimit të Kosovës. Pas përfundimit të luftës në Kosovë ishte zhvilluar edhe një betejë luftarake mes shqiptarëve të Luginës me Serbinë, duke përfunduar me një Marrëveshje e njohur si Konçuli.

Shqiptarët e Luginës i kanë bërë thirrje Kosovës t’u dalë në ndihmë pikërisht pse Serbia po vazhdon të mos respektojë asnjë marrëveshje të nënshkruar.

“Duke qenë se Qeveria e Republikës së Serbisë, nuk tregon realisht gatishmëri dhe vullnet politik për t’i zgjidhur sfidat me të cilat po përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës, që në vazhdimësi po refuzon të jetëson tri marrëveshjet që i ka firmosur me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës në vitet 2001 (Marrëveshja e Konçulit), 2009 (Marrëveshja për ristrukturimin e Trupit Koordinues) dhe 2013 (Masave urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve ”Plani 7 pikësh”) me garanci ndërkombëtare, iu ftojmë për prezencë të Republikës së Kosovës si qenësore në Luginën e Preshevës. Duke formuar mekanizma për mbështetje me projekte konkrete si jetike për ruajtjen e substancës kombëtare në Luginën e Preshevës”, thuhet më tej në letrën dërguar deputetëve.

Kuvendi i Kosovës ka thirr seancë të jashtëzakonshme për të hënën ku do të diskutohet për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.

Shqiptarët e Luginës kërkojnë nxjerrjen e një rezolute për të ndihmuar banorët e kësaj ane.

“Fillimisht shprehim mirënjohjen tonë për mundësinë që të adresoni sfidat dhe pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës para institucionit më të lartë të Republikës së Kosovës si dhe iu ftojmë për angazhim më substancial dhe të drejtpërdrejtë për Luginën e Preshevës si dhe shqyrtimin e mundësisë për të realizuar kërkesat legjitime”.

-----