Ballina LifeBizare Njihuni me burrat fotografë të Jugut të Shqipërisë (FOTO)

Njihuni me burrat fotografë të Jugut të Shqipërisë (FOTO)

31
SHPËRNDAJE

Një ekspozitë e kuruar nga Gjergj Spathari do të sjellë një histori të fotografëve që vijnë nga juglindja shqiptare. Imazhe që të çojnë në Shqipërinë e një shekulli më parë vijnë përmes emrave që janë shumë pak të njohur, megjithëse kanë një kontribut të çmuar. Ekspozita hapet më 7 qershor në Muzeun e Fotografisë Marubi. Janë tetë autorë që përcjellin momente nga jeta politiko- shoqërore e juglindjes së Shqipërisë. Kristo Sulidhi (1858 – 1938) / Perikli Kaçauni (1870 – 1940) / Dhimitër Vangjeli (1872 – 1957) / Vani Burda (1875 – 1949) / Kristaq Sotiri (1883 – 1970) / Petro Dhimitri (1886 – 1953) / Thimi Raci (1886 – 1966) / Mandi Adham Koçi (1912 – 1988). Më poshtë po japim detaje nga jeta e secilit prej tyre.

Thimi RACI (Dardhë, 1886 – Dardhë, 1966)

15 vjeç emigroi në Rumani, nga ku u kthye pas 7 vjetësh. Mjeshtërinë e fotografit e mësoi nga Pero Kaçauni, i cili emigroi në Amerikë në vitin 1910 dhe i la Thimit të gjitha pajisjet e fotografimit. Një vit më vonë, në Dardhë kishte një dyqan me tabelën “Thimi Ratsi – teneqexhi dhe fotograf”.

Ka fiksuar kryesisht portrete familjesh, fëmijë, dasma dhe foto të ngjarjeve të fshatit, shkolla, manifestime e peizazhe.

Banorët nga krahinat e Devollit dhe fushës së Korçës, fotografoheshin në studion e Racit.

Foto të tija janë ekspozuar në Shqipëri dhe në Amerikë.

Në AQSH, në Tiranë ndodhen rreth 2000 negativë, dhuruar nga i biri, Andrea. Para vdekjes Thimi Raci, i dhuroi Muzeut Historik në Tiranë, aparatet e veta fotografike.

Petro DHIMITRI (Korçë, 1886 – Korçë, 1953)

Rreth vitit 1890, emigron në Stamboll, ku përveç punëve të ndryshme, mësoi zanatin e fotografit. I njohur gjerësisht si Petro Fotografi ishte në qendër të aktivitetit fotografik në terrenin patriotik të jugut, por edhe deri në veri, para dhe pas 1912-ës. Emri i tij është i lidhur me Çerçiz Topullin, Mihal Gramenon, Mitingun e Shkronjave Shqipe, Kuvendin Kombëtar të Vlorës, Shpalljen e Pavarësisë, etj.

Fatkeqësisht pasardhësit e tij nuk mundën të kujdeseshin për trashëgiminë që la dhe fototeka e tij është dëmtuar shumë, duke bërë që sot të jenë në gjendje studimi një numër i paktë i fotografive të tij, përveç atyre të botuara në shtypin e kohës apo në kartolina. Shkatërrimi i studios dhe fototekës së tij, nuk na lejon të kuptojmë më shumë.

Logot e përdorura në fotografitë e tij përmbajnë shkrimet: “Petro Fotografi Korçë”, “Petro Fotografi”, “P.D.”, etj.

Në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, shtypi shqiptar në Rumani bënte thirrje për të ndihmuar financiarisht fotografin patriot, që mesa duket jetonte në mjerim.

Dhimitër VANGJELI

Emigroi në moshë të re, nga fshati në Athinë ku punoi e mësoi disa profesione. Kur u kthye hapi një dyqan të vogël në Ersekë në tabelën e të cilit shkruhej “Hëmbëltore, Orëndreqës dhe Fotografia”.

Me pasionin e fotografit, Vangjeli me aparatin fotografik, shëtiti në fshatrat e Kolonjës duke vënë në fokus të gjitha ciklet e jetës: lindjet, pagëzimet, martesat dhe ceremonitë mortore. Fotot e tij pasqyrojnë realitetin e Kolonjës në gjysmën e parë të shek. XX.

Pas vdekjes askush nuk u kujdes për punën e tij, një pjesë e së cilës mbeti e mbyllur për 60 vjet në një arkë të papërshtatshme nga ku e shpëtuan rastësisht një grup i vogël njerëzish.

Afërsisht 1300 negativë në xham të këtij fondi kanë mundur t’i shpëtojnë kohës.

Kristo SULIDHI (Marjan, Opar, 1858 – Korçë, 1938)

Është i pari dhe më i vjetri fotograf i dokumentuar i qytetit të Korçës.

Që i ri emigroi në Greqi, ku falë edhe talentit të tij mësoi mjeshtërinë e fotografit.

Në fillim të viteve ’80, të shek. XIX punoi në Korçë si fotograf. Fotografia më e vjetër, e njohur nga Sulidhi është e vitit 1890.

Ishte shumë aktiv në lëvizjet patriotike të kohës, gjë që e reflekton edhe në fotografi.

Ndër të tjera fiksoi në celiloid dy momente që historia jonë do t’i mbajë mend shumë gjatë: Mësonjëtoren e Parë Shqipe të djemve dhe Mësonjëtoren e Parë Shqipe të vashave.

Të vitit 1908 janë disa momente nga festimi i shpalljes së Kushtetutës xhonturke. Këtë fotografi ai e stampon me vulën “Ch.P.Soulides”.

Kristaq SOTIRI (Mborje, 1883 – Korçë, 1970)

Në moshën 17 vjeçare merr mësimet e para të fotografisë tek kunati i tij, Kristo Sulidhi. Nga fillimi i shek. XX emigroi në Sh.B.A., ku për vite me radhë studioi fotografi dhe punoi në studion e mjeshtrit George Steckel. Rreth vitit 1923 kthehet në Korçë dhe hap “Sotir Studio”, fondalet dhe brenditë e së cilës i realizoi miku i tij, piktori Vangjush Mio.

Nga Sotiri sot trashëgohen rreth 14.000 negativë dhe 1.700 stampime origjinale, që përbëjnë bazën e gjithë punës së mjeshtrit, kryesisht portrete dhe peizazhe që nuk largohen përtej Korçës, rrethinave dhe fshatrave të saj.

Vani BURDA (Korçë, 1875 – Korçë, 1949)

Në moshë të re, Burda shkoi në Rumani, Bukuresht, në Egjipt dhe për një kohë të shkurtër në Stamboll. Në Rumani hapi atelienë e vet fotografike duke qenë shumë aktiv në koloninë shqiptare të atjeshme.

Me grupin e delegatëve të kolonisë shkoi në Vlorë me rastin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

Më 1920, u kthye në Korçë, ku hapi studion e vet fotografike.

Fondi i këtij fotografi gjendet i shpërndarë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe në koleksione private.

Vdiq në mjerim ekonomik… cigareshitës në një kioskë në qendër të qytetit.