Ballina Lajme nacionale Një vit nën maska!

Një vit nën maska!

11
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

“Normalja e re” u bë e përditshmja jonë, jetë nën maska dhe nën apele të vazhdueshme për mbrojtje, larjen e duarve dhe mbajtjen e distancës. Mënyra e punës në disa vende ishte zhvilluar varësisht gjendjes epidemiologjike, përkatësisht punë me rotacione, punë nga shtëpia dhe mësim onlajn

Xhenur ISENI

Shkup, 20 mars – Kaloi një vit që kur u shpall pandemia e koronavirusit, i cili shumë shpejtë u përhap në gjithë botën, pas paraqitjes në qytetin kinez Vuhan. I mbylli njerëzit në shtëpi, solli humbje të mëdha në kuptimin ekonomik, dhe shumë sisteme shëndetësore dështuan. Më 26 shkurt të vitit të kaluar, në Maqedoninë e Veriut ishte regjistruar rasti i parë i infektimit me Covid-19. Numri i përgjithshëm i të infektuarve për një vit në vendin tonë arriti në mbi 112 mijë persona. Organizata Botërore e Shëndetësisë më 11 mars të vitit 2020 shpalli pandeminë e koronavirusit të ri, Covid-19. OBSH porositi se situata është shumë serioze duke iu bërë me dije çdo vendi se duhen të përgatiten për ballafaqimin me këtë krizë. “Normalja e re” u bë e përditshmja jonë, jetë nën maska dhe nën apele të vazhdueshme për mbrojtje, larjen e duarve dhe mbajtjen e distancës. Mënyra e punës në disa vende ishte zhvilluar varësisht gjendjes epidemiologjike, përkatësisht punë me rotacione, punë nga shtëpia dhe “mësime online”.

Në propozim të Qeverisë së atëhershme teknike (e formuar për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme), presidenti Stevo Pendarovski më 18 mars shpalli gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin, masë e cila u soll për së pari herë në historinë e shtetit. Më 22 mars ishte ndaluar lëvizja e qytetarëve në periudhën prej 21:00 deri 6:00 për çdo ditë, në territorin e gjithë vendit. Autoritetet shëndetësore apelonin që të respektohen kufizimet e lëvizjes dhe masat tjera preventive për mbrojtje nga koronavirusi, sepse përmes vetëdisiplinës do të parandalohen përhapja e infektimit.

Në vendin tonë vitin e kaluar për dy muaj, nga 26 shkurti deri më 26 prill, numri i përgjithshëm i të infektuarve arriti në 1386, ndërsa numri i viktimave 61. Në atë periudhë, në shtet ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa dy komuna ishin vendosur në karantinë. Masat e përkujdesjes nënkuptonin edhe kufizim të lëvizjes, që në periudha të ndryshme varionin prej 9 deri në 85 orë. Numri i të infektuarve në mënyrë drastike u rrit gjatë muajve të verës kur restrikcionet për lëvizje u ulën. Numri i të infektuarve në muajt qershor-shtator u rrit për katërfish krahasuar me muajt kur u paraqit infektimi. Numri më i madh i të infektuarve u shënua në muajin nëntor, kur numri arriti në 30.306 persona. Më shumë të infektuar në një ditë ka pasur më 17 nëntor, gjithsej 1406 persona. Më shumë viktima në një ditë janë shënuar më 8 dhjetor, ose më saktësisht 46 të vdekur. Por çfarë janë pritshmëritë në të ardhmen? Kur mund të presim ulje të infektimit nga virusi në vend por edhe në botë? Deri kur do të vazhdon kjo jetë me restrikcione, me punë nga shtëpia, me distancë etj.

Mikrobiologu Nikolla Panovski i cili gjatë gjithë vitit është i kyçur në mënyrë aktive në ballafaqimin me Covid-19, para disa ditëve në një paraqitje televizive tha se nëse nuk zgjerohen mutacionet e Covid-19, deri në fund të vitit mund të pritet stabilizim të situatës, gjegjësisht që gjendja e pandemisë të kalon në endemi. “Sëmundja do të ekziston. Por në disa vende virusi më shpejtë do të kalon, në disa më ngadalë. Ajo varet nga krijimi i imunitetit kolektiv të popullatës dhe gjithashtu nga imunizimi”, sqaron ai. Sipas tij, në disa vende, të cilat kanë një përqindje të vogël të pacientëve të shtrirë në spital dhe nuk kanë imunizuar një pjesë të madhe të popullatës në rrezik, kthimi në normalitet do të jetë më i ngadaltë, dmth do të ketë më shumë viktima, pacientë me pasoja post-traumatike dhe ekonomia do të rimëkëmbet më ngadalë

“Sipas të dhënave të fundit, çdo i treti qytetarë në vend ka antitrupa të Covid-19. Pjesëmarrja në vaksinim është e ulët te punonjësit shëndetësorë, dhe pritet të jetë e ulët edhe te qytetarët”, shton ai. Deri më tani në vendin tonë kanë arritur afro 8000 vaksina të “Pfrizer”, si donacion nga Serbia, dhe 3000 vaksina “Sputnik”. Edhe pse ishte paralajmëruar se me dërgesën e fundit nga Rusia do të fillon imunizimi i popullatës, deri më tani me këtë vaksinë, po vaksinohen vetëm personat medicinal. (koha.mk)

The post Një vit nën maska! appeared first on KOHA.

---- ----
-----