
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PD, ku Lulzim Basha dha direktivat e tij përsa i përket situatës së tensionuar politike dhe betejës që do të vijojë me Ramën, u pa të rikthehej edhe Sekretari Organizativ, Sahit Dollapi.
Edhe pse me krahun e fashuar, Dollapi, i cili nuk ishte shfaqur që prej incidentit në protestën e 11 majit para Parlamentit, e cila përfundoi me akte dhunë si nga militantët e opozitës dhe nga policia, bën kështu daljen e parë publike.
Ai rikthehet si duket të marrë drejtimin e protestës së radhës, që është përcaktuar të zhvillohet më 21 qershor dhe duket në gjendje optimale pas operacionit.
Kujtojmë se Sekretari organizativ i PD në protestën e 11 majit u godit nga forcat e FNSH me skafandra, në tentativën për t’i shpëtuar ndalimit dhe ishte pikërisht ky moment që solli agravimin e situatës dhe përplasjen te Drejtoria e policisë së Tiranës.