Ballina Sport Një gol i dyshimtë, por Kukësi del nga “Air Albania Stadium” me...

Një gol i dyshimtë, por Kukësi del nga “Air Albania Stadium” me tre pikë dhe në krye të Superiores

10
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Një gol i dyshimtë, që do të diskutohet gjatë, zgjidhi supersfidën e javës së 19-të në Kategorinë Superiore, me Kristal Abazajn që i dha fitoren Kukësit ndaj Partizanit, duke e thelluar edhe më tej diferencën me rivalët më të mëdhenj në garën për titull.

Sërish gjyqtarët ishin protagonistë, jo vetëm për golin që nuk përcaktohet dot nëse e kaloi vijën e portës, por gjithashtu edhe për një penallti të paakorduar që ishte më se e qartë e për shumë momente të dyshimta.

Partizani i cunguar nga dëmtimet vuajti së tepërmi mungesat, me Sormanin që regjistroi humbjen e dytë radhazi në dy ndeshje në krye të të kuqve. Në “Air Albania”, me publikun që nuk iu përgjigj rëndësisë së një sfide të tillë, edhe skuadrat ishin paksa të vakëta ku dhe rivaliteti dhe objektivi për të mos humbur përballë një kundërshtari direkt kishte peshë.

Në minutën e 6′, sinjalin e parë e ndezi Solomon, por goditja e tij ishte jashtë kuadratit. Deri në minutën e 21-të lojë kryesisht e kujdesshme me Gavazajn që më në fund iu afrua golit për verilindorët, por edhe goditja e tij ishte jashtë. Katër minuta më pas, jashtë e dërgoi topin dhe Bardhi. Me kokë u kundërpërgjigj dhe Kukësi në të 34-tën me Shkurtajn, por Alban Hoxha ishte gati për të reaguar.

Hoxha protagonist dhe në të 43-ën vetëm se këtë herë ndaj Abazajt. Pjesa e parë u mbyll pa gola, që pasqyruan deri diku dhe atë që dy ekipet dhanë në fushën e lojës. Në pjesën e dytë që në fillim Kukësi pati mundësinë më të mirë të ndeshjes, por Hoxha reagoi ndaj Shkurtajt duke u treguar fantastik me këtë pritje.

Trashi, një ndër më të lëvizshmit te Partizani, kërkoi zgjidhjen personale në të 62-tën, por topi i devijuar shkoi pak mbi tra. Ritmi ishte i mirë, por rastet mungonin gjithsesi deri në të 67-tën, kur Abazaj depërtoi mirë në zonë për të kaluar me një parabolë portierin Alban Hoxha. Belica largoi topin, por për gjyqtarin mbrapa porte, pasi e kishte kaluar vijën e portës dhe kryesori Hamiti vërshëlleu për avantazhin e verilindorëve.

Përsëritja megjithatë nuk e tregon qartë nëse ai top ka kaluar apo jo vijën e portës. Gjithsesi goli bëri me krahë Kukësin me Abazajn që për pak nuk gjeti golin e 2-0, por ishte i pafat kur pa topin t’i stampohej në traversë. Pak çaste më pas dhe pretendim për penallti për Kukësin, me kryesorin që vazhdoi aksionin dhe pse dora e Idrizajt ishte totalisht e hapur.

Vërshëllima finale la në fuqi avantazhin minimal të Kukësit, që me 3 pikët e marra rikthehet në krye të renditjes me 35 pikë, një më tepër se Tirana ndjekëse dhe plot 7 më tepër se Partizani kampion në fuqi, që zbret në vendin e 6./Supersport

---- ----
----
----- ----
-----