Ballina Lajme nacionale Nisma e opozitës për rrëzimin e Qeverisë, reagon AAK-ja

Nisma e opozitës për rrëzimin e Qeverisë, reagon AAK-ja

24
SHPËRNDAJE

AAK-ja ka reaguar ndaj Nismës për rrëzimin e Qeverisë.

Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, kanë iniciuar një mocion që ka për qëllim rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Mirëpo nismën e partive opozitare për rrëzimin e Qeverisë, nuk po e merr aspak seriozisht partia e kryeministrit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nënkryetari i kësaj partie, Pal Lekaj në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, tha se nuk kanë kohë të merren me nisma të kota.

“Si Qeveri jemi të zënë me punë dhe vendime të mëdha për Kosovën. Ka dy vite që merren me iniciativa të tilla shpresoj që të mos lodhen edhe për dy të tjera”, ka thënë Lekaj.

Kurse, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, javë më parë ka realizuar dy takime të ndara me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, me ç’rast edhe janë dakorduar që të ndërmarrin veprime të përbashkëta për rrëzimin e Qeverisë.

Ndërsa gjatë ditës së sotme, ka dështuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, pas bojkotit që i ka bërë opozita, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ka deklaruar se opozita duhet ta dorëzojë mocionin për rrëzimin e Qeverisë, pavarësisht sa nënshkrime janë.

“Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet. Opozita nuk pranon që të vazhdojë kinse nuk ka ndodhur asgjë edhe për kundër skandaleve edhe përkundër vendimeve politike. Qysh nesër të dorëzohet mocioni për rrëzimin e qeverisë pavarësisht a i kemi 61 nënshkrime apo jo. Zgjedhjet janë e vetmja mundësi për të dalë nga kriza”, ka deklaruar Haxhiu.

Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, i kanë gjithsej 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe për suksesin e një mocioni të mosbesimit për Qeverinë, nevojiten edhe 5 vota.

-----