Ballina Sport Ngacmimet, idhulli Alban Hoxha dhe ëndrrat: “Zbërthehet” talenti Vokli Laroshi

Ngacmimet, idhulli Alban Hoxha dhe ëndrrat: “Zbërthehet” talenti Vokli Laroshi

8
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Shpatullat e tij duhet të mbajnë një emër të rëndë dhe famën e peshëngritësve të shumtë që Shtërmeni ka nxjerrë, por ai është gati për këtë sfidë. Quhet Vokli Laroshi dhe është vetëm 19 vjeç, mban shiritin e kapitenit te Turbina dhe ruan katërkëndëshin, një detyrë jo e lehtë.

Mund të paragjykohet se luan në Kategorinë e Parë, por ftesa e Shqipërisë U21 konfirmon cilësitë e portierit të ri që e kanë krahasuar që të vogël me Alban Hoxhën, portierin e Partizanit që ka qenë për shumë vite edhe pjesë e Shqipërisë.

Janë nga i njëjti vend dhe Vokli frymëzohet nga portieri cërrikas, sikurse edhe shprehet në intervistën e dhënë për abcnews.al. Në ato që thotë tregon pjekuri, duke lënë të hapur çdo opsion për Superioren në të ardhmen. Rrugën për të ecuri përpara e di, presionin nuk e ndjen dhe është gati për mundësi.

 

Vokli, nga Kategoria e Parë në Shqipërinë U21, çfarë emocionesh keni ndjerë?
– Ftesa nga ekipi kombëtar më lumturoi shumë, sepse për mua ka qenë gjithmonë një ëndërr të vesh fanellën e kombëtares dhe të jem pjesë e saj.

Sa ju motivon ftesa nga Shqipëria U21 për të ecur përpara?
– Sigurisht kur je pjesë e kombëtares ke një motivim dhe një vlerësim akoma edhe më shumë, gjë që mua më bën të punoj akoma dhe më shumë dhe të eci përpara.

Në Cërrik që tani kanë nisur t’ju krahasojnë me Alban Hoxhën, si ndikon tek ju kjo?
– Po. gjithmonë më kanë krahasuar  me Albanin. Që kur isha i vogël  me thonin do bëhesh si Alban Hoxha  dhe gjithmonë ai ka qen si një idhull për mua. Kjo edhe për faktin që jemi nga i njëjti vend.

 

Jeni titullar me Turbinën dhe madje ju kanë besuar edhe shiritin e kapitenit. Ju vë në presion kjo apo ju motivon më shumë?
– Jam pjesë e Turbinës  prej dy sezonesh dhe dua te them që për mua është nder dhe privilegj të jem kapiten i ekipit të qytetit tim. Ndjehem shumë i vlerësuar dhe falënderues për besimin e dhënë dhe patjetër që është një motivim akoma dhe më i madh për mua.

Si portier i ri, normalisht keni edhe ju  portierët që ju frymëzojnë. Ka ndonjë që dëshiron ta “imitosh”?
– Siç e thashë edhe më lart, idhulli im që i vogël ka qenë Alban Hoxha. Më ka frymëzuar gjithmonë kur shihja arritjet dhe paraqitjet e tij në elitën e futbollit shqiptar dhe me kombëtaren.

Sa e vështirë është të luash në moshë kaq të re si titullar, në një rol shumë delikat si ai i portierit?
– Të them të drejtën e vështirë nuk është të luash, por të të vijë mundësia  të luash dhe ta shfrytëzosh atë duhet shumë sakrificë, mund dhe punë. Për mua kjo ka qenë pjesa më e rëndësishme, të stërvitem shumë, të bëj maksimumin dhe të eci përpara.

 

Ju jeni nga Shtërmeni, që shquhet për nxjerrjen e peshëngritësve. A ju ngacmojnë për këtë, me ndonjë fjali të tipit “po ti nga dole futbollist” apo me ndonjë frazë tjetër?
– Po, jam nga Shtërmeni dhe siç e thatë edhe ju Shtërmeni ka nxjerrë shtangistë me emër, të cilët kanë arritje kombëtare dhe ndërkombëtare në peshëngritje dhe e kanë nderuar këtë fshat. Gjithmonë kam pasur ngacmime nga kjo anë, të tipit “Të gjithë shtangistë, ti nga dole futbollist”ose “të na nderoje një futbollist nga fshati jonë”. Në Shtërmen e duan shumë sportin dhe mua personalisht më kanë mbështetur shumë në anën sportive!

Duke qenë se po spikatni edhe me Turbinën, a ju kanë “ngacmuar” me oferta nga Superiorja? Ka Vokli një preferencë nga klubet e elitës?
– Ëndrra ime është që të luaj në nivelet e larta të futbollit shqiptar, pse jo dhe jashtë vendit. Të them të drejtën nuk kam ndonjë preference specifike për klubet në Shqipëri , për mua është e rëndësishme të luaj në Superligë, të tregoj veten dhe  të jap më të mirën time.

Së fundmi, na shuani edhe një kuriozitet në lidhje me emrin tuaj, pasi është pak i hasur në vendin tonë. Ka një historik pas tij, pse ua kanë vënë ashtu?
– Emri im është  shumë i veçantë për mua për vetë faktin se e kam të trashëguar nga gjyshi im, i cili ka qenë një njeri shumë i çmuar për familjen time. Qëllimi im i vetëm është që ta nderoj familjen time dhe ta nderoj këtë emër që mbaj. /abcnews.al

The post Ngacmimet, idhulli Alban Hoxha dhe ëndrrat: “Zbërthehet” talenti Vokli Laroshi appeared first on Abc News.

---- ----
-----