Ballina Lajme Bota/Rajoni Nga sulmet te celulat e reja: Bilanci i aktivitetit të Shtetit Islamik...

Nga sulmet te celulat e reja: Bilanci i aktivitetit të Shtetit Islamik gjatë 2020 dhe mundësia e një rreziku të ri

35
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral - -------

Një vit pas mposhtjes së ISIS-it në Irak dhe Siri, kjo organizatë terroriste ka vazhduar të organizojë sulme vdekjeprurëse gjatë 2020-tës si në Lindjen e Mesme, ashtu edhe në Evropë.

Shkatërrim dhe vdekje… pasojat e sulmit të ISIS-it në Universitetin e Kabulit në muajin nëntor. Mbi 30 vetë humbën jetën, shumica studentë.

Ky ishte një ndër dhjetëra sulme të përgjakshme të organizuara nga Shteti Islamik në shkallë globale gjatë 2020, në periudhën pasi Presidenti Trump deklaroi mposhtjen e kësaj organizate ekstremiste.

“Ushtria e Shteteve të Bashkuara, partnerët tanë në koalicion, Forcat Demokratike të Sirisë, kanë çliruar praktikisht të gjithë territorin që më parë kontrollohej nga Shteti Islamik në Siri dhe Irak. Ndoshta nga java e ardhshme do të njoftojmë se kemi nën kontroll 100% të Kalifatit,” tha Presidenti Trump në shkurt të 2019-ës.

Megjithatë, celula të rezistencës së ISIS-it vazhdojnë të ekzistojnë në Siri dhe Irak, ku organizojnë edhe sulme.

Sulme ka pasur edhe në Francë, ku një universitet u bë skenë e homazheve për viktimën. Në Sorbonë pjesëmarrësit nderuan mësuesin Samuel Paty, i cili u ekzekutua me prerje koke në tetor nga një ekstremist islamik, si ndëshkim që u kishte treguar nxënësve karikatura të Profetit Muhamet.

Franca është një ndër disa vende perëndimore të angazhuara në luftë me terroristët në Afrikë ku, sipas vëzhguesve, goditja ndaj ISIS-it nuk ka ndikuar në dobësimin e aktivitetit të këtij rrjeti ekstremist.

“Në përgjithësi, kur analizojmë trajektoren e Shtetit Islamik në Afrikë, kjo organizatë vepron thuajse e papenguar. Ky grup gjen plot mundësi për të shfrytëzuar situatën, si për shembull konflikte lokale tek të cilat është përfshirë. Të flasim hapur, partnerët perëndimorë nuk kanë qenë të interesuar të përfshihen në konfliktet ekzistuese në Afrikë,” thotë analistja Katherine Zimmerman.

Donald Trump premtoi gjatë fushatës se do ta nxirrte vendin nga konfliktet e tejzgjatura. Presidenti reduktoi trupat në Somali, Siri, Afganistan dhe Irak.

Por në zona si Iraku verior, në territoret e kontestueshme, të pasura me naftë, disa ekspertë paralajmërojnë se Shteti Islamik po shfrytëzon mungesën e besimit që ka popullata lokale ndaj ushtrisë dhe grupeve paraushtarake shiite të dislokuara për të ofruar mbrojtje.

“Ekziston një mungesë themelore dëshire e ndërthurur edhe me mungesën e kompetencës dhe e ndërlikuar më shumë nga korrupsioni në radhët e forcave irakiane të sigurisë dhe sistemi gjyqësor. Kjo e bën të mundur mbijetesën dhe vazhdimin e kryengritjes së ISIS-it në këto zona,” thotë analisti Mohammed A. Salih.

Për sa i përket rrezikut xhihadist, 2020-ta konsiderohet si vit më i mirë për Shtetet e Bashkuara, pasi ekstremistët islamikë nuk arritën të kryejnë sulme vdekjeprurëse. Por në Evropë xhihadistët lanë të paktën nëntë të vdekur, një numër i ngjashëm me viktimat e regjistruara gjatë 2019-tës.

---- ----
-----