Ballina Lajme nacionale Nga dëbimi, tek pritja me daulle; 20 vitet e metamorfozës së Ilir...

Nga dëbimi, tek pritja me daulle; 20 vitet e metamorfozës së Ilir Metës me Tropojën

34
SHPËRNDAJE

Në vitin 2000 tropojanët ishin derdhur në shesh kundër tij, ndërsa sot Ilir Meta ja mori vallës në qytetin e Bajram Currit. Duket paradoksale dashuria e presidentit për Tropojën, po aq sa edhe dashuria e tropojanëve për presidentin, pasi histori mes tyre nuk ka qenë një histori “dashurie”.

Kohët e fundit kreu i shtetit i ka shtuar vizitat në Tropojë. Vendlindja e doktorit, politikani për të cilin Meta ka një debulesë të veçantë, është kthyer në zonën e dëshiruar për presidentin, ku shpesh kalon edhe fundjavat.

Në qoftë se Ilir Meta për tropojanët që kishin dalë në shesh në vitin 2000, ishte “kriminel”, “vrasës i djemve “, “provokatori i Tropojës”; sot Tropoja e priti me daulle presidentin.

Të gjithë i kanë ndryshuar rolet që prej kohës që Ilir Meta u bë mik i Sali Berishës, duke mbajtur në qeveri doktorin, por edhe duke marrë pushtet për vete në 2009.

Krejt i qetë, sot, kreu i shtetit ia merr vallës dhe këngës, ngjit luginën e Valbonës, provon rakinë e zonës dhe jep edhe mesazhe politike, duke sulmuar Edi Ramën.

Në Tropojë, sot ka pasur edhe një tjetër të veçantë, sepse bashkë me kongresimin amerikan Elit Engel, Meta vendosi një buqetë me lule në bustin e Azemit Hjadarit, te cilin në të gjallë e ka pasur armik dhe pas dy dekadash e quan mik dhe tribun të demokracisë.

Por, për miqësi ka ndarje në familjen Hajdari, sepse me të bijën e tij që është deputete në parlament, Meta nuk ndan qetësi, e aq më pak dashuri. Madje në çdo reagim të saj në facebook, Meta nuk ngurron të përgjigjet, herë vetë e herë të tjera përmes këshilltarit për median.

Sot Rudina duhet të ishte aty me Metën “armik” dhe Engelin mik. Por vetë ajo thotë se nuk e lejuan, ndërsa Meta ia kurseu një përgjigje këtë herë, të paktën për aq orë sa qëndroi në Tropojën e Azemit. Sepse nesër është e sigurtë, me Rudinën do vijojë avazin . Metamorfoza është e habitshme. Ilir Meta në vitin 200 ishte armik për tropojanët, por pas 19 vitesh gjërat kanë ndryshuar. Ilir Meta në vitin 2000 ishte armik për Azem Hajdarin, por pas 19 vitesh, thotë se është mik i heroit të demokracisë, por armik i vajzës së tij, Rudinës.

Çfarë ndodhi më 26 shtator 2000?!

18 vjet më parë, Ilir Meta si kryeministër, futi në axhendën e takimeve elektorale të 12 tetorit edhe Bajram Currin.

Edhe pse situata ishte e tensionuar, më 26 shtator të vitit 2000, Ilir Meta, asokohe kryeministër, shkoi në Tropojë I shoqëruar nga forca të shumta të policisë, RENEA-s dhe FNSH-së.

Dega lokale e PS kishte organizuar një miting dhe ishte parashikuar që Meta të mbante një fjalim.

Por Tropoja ishte kthyer në fushë përplasjeje për shkak të situatës së tensionuar që po kalonte vendi atë kohë.

Tensioni ka arritur kulmin në momentin kur Ilir Meta nisi të flasë. Militantët e shumtë të PD që kishin rrethuar qytetin kanë nisur të brohorasin emrat e Sali Berishës dhe Azem Hajdarit. Pas pak minutash, policia e këshilloi kryeministrin që të braktisë mitingun, pasi nuk garantonte dot sigurinë  e tij.

Lëvizja e Metës është bërë në këmbë nga vendi ku mbahej mitingu, deri në Hotel Turizmi të qytetit, e cila ka qënë një distancë prej 300-400 metrash që kryeministri e ka përshkruar me këmbë,  i rrethuar nga një eksortë e fuqishme e trupave të gardës dhe e forcave speciale, dhe gjatë gjithë kohës është shoqëruar nga brohoritjet dhe nga parullat kundër tij dhe kundër qeverisjes së majtë të asaj kohe.

Gazeta SHQIP

-----