Ballina Lajme Bota/Rajoni Në Perëndim është drejtësia që ndëshkon policët

Në Perëndim është drejtësia që ndëshkon policët

29
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Që nga vrasja makabre e 4 demonstruesve më 21 janar 2011 dhe plagosjes së disa dhjetra të tjerëve, policia duket se u vu në « shina ». Edhe kur demonstruesit i vinin zjarrin portës së kryeministrisë, policia vepronte brenda kornizave që ia lejonte ligji. Fatkeqësisht ky rregull u thye dy ditë më parë, kur një polic vrau një të ri, për arsye ende të paqarta.

Ngjarje si kjo e fundit, kur policia nuk vret me urdhër, por nga pakujdesia, nga mospërgatitja profesionale,  nga zelli i tepërt, nga mospasja në dorë e situatës, nga frika etj etj janë dukuri të hidhura, por që ngjajnë në të gjithë botën.

Sipas shifrave zyrtare më shumë se 1.100 veta janë vrarë nga policia gjatë vitit 2015 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 987 gjatë vitit 2017. Rasti më i fundit ishte vrasja pothuajse me dashje e qytetarit me ngjyrë amerikan Xhorxh Flloid më 25 maj të këtij viti nga polici i bardhë Derek Chauvin.

Në Francë sipas statistikave zyrtare nga armët e policisë në vitin 2017 vdiqën 36 veta, më 2018-tën 14 veta, 28 humbën jetën më 2018 dhe 26 vitin e kaluar. Pjesa kryesore e tyre ishin kriminelë dhe banditë. Por edhe gjatë demonstrative të ”jelekëve të verdhë” policia franceze u tregua tejet e ashpër në mbrojtje të ligjit.

Gjatë një bashkëbisedimi me të përditshmen « Regards » sociologu Geoffroy de Lagasnerie kritikon përdorimin “politik” të shprehjes « dhunë policore » ! Sipas tij fjala « polici » dhe « dhunë » janë sinonime, pasi policia është i vetmi organ që me ligj i lejohet të përdorë dhunën. Por sipas sociologut në fjalë ekziston një dallim i qartë ndërmjet « dhunës policore » dhe « dhunës së paligjshme të një polici » !  

I të njëjtit mendim duket se është edhe ish –drejtori i përgjithshëm i policisë franceze Eric Morvan kur thekson se duhet bërë dallim ndërmjet “dhunës policore » dhe « dhunës së policit » ! Sipas tij kemi të bëjmë me dhunë policore, kur policia vepron në bazë të urdhrave që merr nga hierarkia e saj. (Siç ngjau më 21 janar 2011 në  bulevardin e Tiranës. Shënimi im). Por kur polici i tejkalon kompetencat e tij atëhere kemi të bêjmë me “një dhunë të paligjshme të policit”. Përgjegjësia mbetet individuale. Në rast se një kirurg padashur shkakton vdekjen e një pacienti, nuk mund të bëhet fajtor gjithë personeli mjekësor!

Këto ditë në Belgjikë opinioni vendas po ndjek me vëmendje rastin e vrasjes së një vajze të vogël irakiane nga një polic. Ngjarja ngjau më 17 maj 2018. Një furgon me emigrantë nuk iu bind thirrjes sê policisë për të ndaluar. Njëri nga policët hapi zjarr duke goditur për vdekje vajzën e vogël 2 vjeçe. Polici në fjalë, i cili po gjykohet këto ditë, u betua se ai kujtonte se kishin të bënin me një bandë hajdutësh dhe nuk besonte kurrë që me furgonin po udhëtonin një grup refugjatësh. 

«Ah sikur të kisha mundësi ta kthenja kohën mprapsht » – u shpreh ai para trupit gjykues. « Ne jemi të gjithë njerëz që dëshirojmë të jetojmë në paqe dhe miqësi. Ka disa që largohen nga vendi i tyre , siç ka disa të tjerë që largohen nga vendi i punës që kanë pasur. Por fatkeqësia pllakosi më 17 maj të 2018-tës. Vdekja e një fëmije është diçka e papërballueshme. Diçka e vështirë të falet. Por kurrë nuk kam dashur që diçka e tillë të ngjasë », u shpreh polici belg para se t’i shprehte familjes së viktimës keqardhjen e tij më të thellë.

Drejtësia belge ndêrkohë po mundohet të kuptojë nëse kemi të bëjmë me një vrasje të qëllimshme, pra nëse në momentin kur polici përdori armën,  ishte ai i ndërgjegjshëm se mund të shkaktonte një vrasje apo jo.

Dhe siç po ngjet me policin në Belgjikë, me Derek Chauvin në Amerikë apo me shumë procese në Francë është drejtësia që thotë fjalën e fundit. Siç duhet të ngjasë edhe në Shqipëri pa u influencuar as nga manifestuesit dhe as nga kurrkush që një ngjarje aksidentale përpiqen ta kthejnë në një çështje politike.

Sociologu Geoffroy de Lagasnerie pasi përsërit kritikën e tij në përdorimin politik të shprehjes « dhunë policore » pohon se sipas jurisprudencës ndërkombëtare ekziston një dallim i qartë ndërmjet « dhunës policore » dhe « dhunës së paligjshme të një polici»!

 Përgatitur për «TemA» nga Viron Gjymshana  

---- ----
----
-----
-----