
Më shumë se 170 mijë vullnetarë janë regjistruar brenda 24 orëve për të mbështetur sistemin shëndetësor në Britani, për të ndihmuar njerëzit në nevojë, të cilëve u është kërkuar që të mos largohen nga banesat e tyre për shkak të koronavirusit.
Sipas “The Guardian”, ritmi i regjistrimit ishin tre persona për sekondë në skemën e re vullnetare të qeverisë pak orë pasi Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock, bëri një thirrje të martën për 250 mijë persona në Angli, për të ndihmuar sistemin shëndetësor për shkak të pandemisë COVID-19.
Në Britani rreth 1.5 milionë persona kanë probleme e rrezikojnë të infektohen, e për këtë arsye nevojiten vullnetarë të cilët do t’i çojnë nëpër shtëpi pasi dalin nga spitalet dhe do të telefonojnë rregullisht personat në vetëizolim.