Ballina Sport Ndeshje e “çmendur”/ Gola, autogola, penallti dhe karton i kuq,  Skënderbeu thyen...

Ndeshje e “çmendur”/ Gola, autogola, penallti dhe karton i kuq,  Skënderbeu thyen partizanin

14
SHPËRNDAJE

Skënderbeu ka arritur një fitore të madhe ndaj Partizanit duke i thyer kampionët me rezultatin 3-2 në një takim që i ka pasur të gjitha. Të kuqtë kaluan të parët në epërsi falë një goli të kthyer në penallti nga Bruno Telushi në minutën e 8-të, penallti e shkaktuar nga prekja naive e topit me dorë nga Pollozhani. Kryeqytetasit mund t’i kishin vënë kapak sfidës rastet e Endri Çinarit, por shkodrani ndalet dy herë nga një superportieri Koliçi.

Në minutën e 39-të vjen momenti që kthen ndeshjen. Broja merr të verdhën e dytë dhe lë të besuarit e Sormanit me 10 vetë, ndërsa 4 minuta më pas Bitri shënon në portën e tij duke i dhënë barazmit Skënderbeut. Djemtë e Dajës shfrytëzojnë faktorin psikologjik dhe me një aksion model e mbyllin pjesën e parë në epërsi me golin e Blerim Krasniqit.

Partizani vuan në pjesën e dytë të gjejë hapësira, ndërsa Skënderbeu administron avantazhin. Në minutën e 71-të nxehen gjakrat kur kryesori Beqiri akordon një 11-metërsh për kampionët pas sinjalizimit të anësorit, që pretendoi një prekje me dorë të Ditës. Gabim i gjyqtarëve ky, pasi prekje me dorë nuk ka, por gjithsesi drejtësia vjen nga vetë Partizani, pasi Bruno Telushi gabon duke gjuajtur jashtë.

Partizani merr goditjen e fundit në këtë sfidë në minutën e 82-të, kur Dejvi Bregu realizon një gol klasi në kuadratin e Alban Hoxhës. Në fund, një tjetër autogol, kësaj radhe i Ditës që ngushton shifrat në 3-2, por është shumë vonë për Partizanin për të menduar të marrë një pikë në Korçë.