Ballina Lajme nacionale Ndërprerje të negociatave me Vetëvendosjen? Flasin zyrtarë të LDK-së

Ndërprerje të negociatave me Vetëvendosjen? Flasin zyrtarë të LDK-së

17
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Vendi është në prag të formimit të qeverisë së re.

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë për të caktuar grupin punues i cili do të diskutonte me Vetëvendosjen për çështjen e koalicionit.

Kjo nuk është arritur sot. E këtë të ditur e ka bërë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa i cili është shprehur se do të presin rezultatin final të zgjedhjeve për të filluar bisedimet me VV-në, shkruan lajmi.net.

“Sot diskutuam për rezultatin e ngushtë me VV-në. Po presim rezultatin final. Mos të përjashtojmë edhe 40 mijë votat e diasporës. Zhvillimi i takimeve me VV-në do të fillojnë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja. Në momentin që certifikohen rezultatet do të fillojmë bisedimet me VV”, ka thënë zëdhënësi Besian Mustafa.

“Kemi një rezultat të ngushtë kemi dallim me pak se 2500 vota. Andaj do t’i presim certifikimin e rezultateve. Takimi i radhës me VV-në do vazhdoj pas certifikimit”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova në një prononcim për lajmi.net ka treguar se për çfarë shërben grupi i cili do të krijohet dhe kush merr vendim për koalicionin me Vetëvendosjen.

“Dëgjo, grupi ka qenë i caktuar paraprakisht dhe është diskutuar me Vetëvendosjen vazhdimisht, janë grupe teknike që merren ekskluzivisht me çështje teknike të programeve, projekteve, është tjetër temë, ndërsa për çështje politike të marrëveshjeve të mundshme që mund të bëhen për koalicione, merren kryetari i Partisë dhe kandidatja Vjosa Osmani”, tha Rugova për lajmi.net.

Më tutje, i pyetur nëse ka mospajtime në LDK rreth koalicionit me Vetëvendosjen, Rugova është shprehur se brenda çdo partie ka mendime të ndryshme, por ka mohuar të ketë përçarje të mëdha.

“Gjithmonë, brenda një partie ka mendime të ndryshme, unë nuk mund të them që ka përçarje ose mospajtime të thella, ne diskutojmë brenda subjektit, unë jam tash e disa vite aty, gjithmonë ka ndodhur ashtu, ne do të dalim me qëndrime unike dhe parimore, ne natyrisht që presim përfundimin e rezultateve ose certifikimin dhe tek atëherë mund të flitet për çështjen e koalicioneve, gjë që nuk e ndalon të flasin dy parti politike rreth programeve dhe mundësive të bashkëpunimeve”, tha Rugova më tutje.

Ndërsa, ish-deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri është shprehur se nuk mund të flas asgjë më shumë përtej qëndrimit zyrtar të partisë, por megjithatë, sipas saj – bisedimet për koalicion janë të ngutshme.

“Asnjë gjë përveç qëndrimit zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, unë nuk jam pjesë e kryesisë dhe sot nuk kam marrë pjesë në mbledhje, nuk e di qysh është marrë vendimi. Megjithatë, unë nuk shtoj asnjë gjë më tepër se qëndrimi që ka zgjedhur subjekti im politik. Dorën në zemër, për mendimin tim, ka qenë shumë më logjike tëp ritet deri në fund të rezultateve, janë disa procedura e disa rregulla që duhet të priten dhe ndoshta nuk është dashur të fillohet ani pse janë deklaruar pro koalicionit të dy partitë”, tha Gaxherri për lajmi.net.

Pos kësaj, nënkryetari i parë i kësaj partie, Agim Veliu sot në një prononcim për media është shprehur i pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve duke shtuar se LDK ka pësuar rënie.

E në kundërshtim me këto deklarata janë ato të Vjosa Osmanit e Isa Mustafës që deklaruan se nuk ka ngrirje të diskutimit me Vetëvendosjen.

Më tutje, dje janë takuar kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatja për kryeministër nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ku janë pajtuar parimisht rreth koalicionit qeverisës.

Mirëpo, në anën tjetër, kanë qarkulluar zëra se brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës ende ka mospajtime dhe përçarje rreth një koalicioni të mundshëm me Vetëvendosjen.

Kujtojmë se për këtë koalicion është diskutuar mes dy partive edhe para zgjedhje, gjë që nuk është arritur e pastaj është pasuar me sulme e akuza të partive ndaj njëra-tjetrës.

---- ----
-----