Ballina Sport Ndahet nga jeta themeluesi i Ligës së Kampioneve, ja kush është

Ndahet nga jeta themeluesi i Ligës së Kampioneve, ja kush është

36
SHPËRNDAJE

Bota e futbollit i jep lamtumirën Lennart Johansson. Ish presidenti i UEFA u nda nga jeta në moshën 89 vjecare pas një sëmundjeje. Drejtuesi suedez është promovuesi i formatit modern të Ligës së Kampioneve që u krijua në vitin 1990, pikërisht në vitin e parë të presidencës së tij në Federatën Evropiane të Futbollit, pozicion të cilin ai e mbajti deri në vitin 2007

I lindur në vitin 1929 në Stokholm, Johanson e nisi karrierën si drejtues në klubin e tij të zemrës AIK Solna, përpara se të zgjidhej president i Federatës Suedeze të Futbollit në 1984, detyrë që e ushtroi deri në vitin 1991. Pas kësaj karriera e tij mori një ngjitje të menjëhershme pikërisht në UEFA të cilën e shndërroi edhe në superfuqinë aktuale të futbollit dhe ku ai u zgjodh edhe si president nderi.

Falë punës së tij, kompeticioni më i rëndësishëm evropian për klube që dikur quhej Kupa e Kampioneve u zgjerua dhe u shndërrua në Ligën e Kampioneve që njohim të gjithë dhe ku marrin pjesë pothuajse të gjithë futbollistët më të mirë në botë, ndërkohë që ka bërë për vete me miliona e miliona tifozë në mbarë botën

Në nder të Lennart Johansson u mbajt edhe 1 minutë heshtje në momentin e hapjes së Kongresit të FIFA në Paris. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në fillimin e cdo ndeshjeje të kualifikueseve të Euro 2020, Nations League dhe ndeshjeve të skuadrave U21

-----