Ballina Lajme nacionale Mustafa shfaqet i matur me postimin e tij pas takimit me Kurtin

Mustafa shfaqet i matur me postimin e tij pas takimit me Kurtin

7
SHPËRNDAJE

Isa Mustafa e Albin Kurti janë takuar sot në mëngjesë.

Kryetari i rizgjedhur i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se është takuar sot me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Mustafa ka shkruar në Facebook se në takimin me Albin Kurtin u bisedua për nevojën që Kosova të shkojë sa më parë në zgjedhje.

“Në takim me z. Albin Kurti sot, biseduam për gjendjen në Kosovë, sidomos pas dorëheqjes së Kryeministrit të vendit. U pajtuam se jo vetëm që vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje por duhet të rezultojë një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve, veçanërisht rinisë sonë”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka folur për qeverinë e re që duhet të jetë përgjegjëse, por nuk ka përmendur ndonjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kjo qeveri e re e Kosovës duhet të sillet me përgjegjësi dhe kompetencë në zhvillimin ekonomik, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, në menaxhimin e arsimit dhe shëndetësisë, në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit si dhe në hapjen e rrugës së integrimeve evropiane”, ka deklaruar Mustafa.

Edhe Albin Kurti më herët përmes Facebook-ut ka njoftuar për takimin me kryetarin e LDK-së dhe dakordimin e të dyve që grupet parlamentare të këtyre dy partive të jenë në përbërje të plotë për të shpërndarë Kuvendin në seancën e 22 gushtit.

-----