Ballina Lajme nacionale Mustafa: Për reciprocitetin të vendoset në koordinim me SHBA-në

Mustafa: Për reciprocitetin të vendoset në koordinim me SHBA-në

24
SHPËRNDAJE

Lideri i LDK-së Isa Mustafa mendon se taksa 100% ndaj Serbisë duhet të hiqet, por nëse vendoset reciprociteti nga qeveria Kurti, atëherë duhet që të ketë koordinim me SHBA-në.

LDK dhe LVV janë dy partitë që kanë formuar koalicionin qeverisës në Kosovë. SHBA-ja e kërkon heqjen e taksës, por është kundër reciprocitetit.

“Themelore është që procesi të bashkërenditet me SHBA-të, si partner strategjik i yni. Çështjet e tjera mbesin modalitete.”, tha Mustafa për Gazetën Express.

Ndërsa zyra për mediat e LVV-së shpreh se për çështjen e reciprocitetit, do të merren vesh me LDK-në.

Qëndrimin zyrtar të LVV-së e ka thënë Kurti dy ditë më parë në Konventën e Prodhuesve të Kosovës. Edhe pas thirrjeve të SHBA-së për heqje të menjëhershme të taksës, pa vendosje të masave të tjera, Kryeministri Kurti ka thënë se do të vendosë reciprocitet të plotë.

“Do të zëvendësojmë tarifën 100% dhe do të zbatojmë reciprocitetin e plotë tregtar me Serbinë sikurse me secilin shtet. Tarifa ka qenë vendim i qeverisë së kaluar. Ne nuk jemi për tarifa si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit por për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve.”, tha ai.