Ballina Lajme nacionale MPJ akuzon Serbinë përdor ryshfetin në fushatën kundër Kosovës

MPJ akuzon Serbinë përdor ryshfetin në fushatën kundër Kosovës

19
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

MPJ thotë se Serbia përdor ryshfetin në fushatën kundër Kosovës – Raportohet se një çnjohje kushtoi 300 mijë euro.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka thënë se qeveria e Serbisë ka instaluar korrupsionin dhe ryshfetet si mjete diplomatike për të fituar dokumente të falsifikuara për çnjohje të Kosovës.

Sipas MPJ-së, këto dokumente nuk shërbejnë për asgjë vetëm për përshkallëzim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Reagimi i tillë vjen pasi ministria e Jashtme e Serbisë deklaroi se ka siguruar edhe një çnjohje të pavarësisë së Kosovës, duke publikuar dokumente nga Togo.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dëshiron të shprehë shqetësimin e saj të thellë për raportet në media për zyrtarët e Republikës së Afrikës Qendrore që u janë dhënë ryshfet nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë për të lëshuar nota të falsifikuara në lidhje me njohjen e Kosovës. Ne jemi thellësisht të shqetësuar që qeveria serbe ka instaluar korrupsionin dhe ryshfete si mjete diplomatike për të fituar dokumente të falsifikuara që nuk shërbejnë asgjë vetëm për përshkallëzimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagim.

MPJ ka thënë se “Kosova është përballur në tre vitet e fundit më një fushatë të paprecedent diplomatike dhe propagandistike nga Serbia me mbështetjen e Rusisë dhe vendeve të tjera për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”.

“Ne kemi përcjell disa herë në vitet e fundit këto mjete diplomatike të përdorura nga Serbia dhe i kemi ngritur ato në Bruksel dhe kryeqytetet kryesore perëndimore me fakte konkrete. Në të njëjtën kohë ne kemi informuar opinionin publik për këtë mënyrë sesi Serbia po përdor ryshfete dhe korrupsion. Serbia ka përdorur çdo mjet për të penguar Kosovën ndërkombëtarisht. Ne kemi shprehur shqetësimin tonë se kanë përdorur ryshfete, afera korruptive, shitje të armëve dhe marrëveshje për heqjen e vizave dhe afera jo-moralshme (si rasti i INTERPOL-it) për të kundërshtuar Kosovën. Serbia ka ftuar zyrtarë të huaj në Beograd në vizita pa marrë parasysh legjitimitetin e tyre dhe përmes ryshfeteve janë lëshuar ‘nota diplomatike’ dhe dokumente të rreme që janë hedhur poshtë nga vendet përkatëse mandej”, thuhet tutje në reagimin e MPJ-së së Kosovës.

MPJ tutje ka thënë se Serbia ka nxitur edhe reagimin e organizatave ndërkombëtare për shitjen e armëve në Afrikë. Kjo është konsideruar si mjet për të përforcuar propagandën serbe. MPJ shkruan se të gjitha notat diplomatike të treguara në Beograd janë shkruar nga Vladimir Cizelj.

Për Cizeljin pati raportuar Koha Ditore në muajin mars. Cizelj njihet si “njeriu kofer”. Ai është me prejardhje nga Sllovenia, por i rritur në Beograd dhe ka shtetësi serbe dhe Izraelite. Është ndihmës i ngushtë i kryediplomatit serb, Ivica Daçiq, dhe mediat në Serbi kanë raportuar më herët edhe për lidhje korruptuese mes këtyre dyve. Daçiqi e mban edhe tash afër atë, e madje Cizelj prezantohet në shumë shtete në emër të Qeverisë serbe.

“Të gjitha notat diplomatike të treguara në Beograd të cilat janë hedhur poshtë nga qeveritë përmes kanaleve diplomatike ose publikisht janë shkruar nga një person i vetëm, Vladimir Cizelj i cili është i njohur për të kaluarën e tij kriminale dhe lidhjet me rrjetet e krimit të organizuara jashtë Evropës dhe i cili shërben tani si Këshilltar për Ministrin e Jashtëm Serb”, thotë MPJ në reagimin e saj.

“Cizelj ishte përfshirë në Botsvana në një skandal të njohur si çështja e Jerry Chitube për shitjen e sistemeve të enkriptimit në Botsvanë nëpërmjet marrjes së ryshfetit nga anëtarë të lartë të qeverisë. Në çështjen Jerry Chitube, Cizelj njihej si ‘njeriu kofer’. Vladimir Cizelj dhe kompania e tij Vlatacom kanë qenë gjithashtu në qendër të polemikave për biznese të marra nga Ministria serbe e Punëve të Brendshme përmes ofertave sekrete në kohen kur Ministër ishte Ivica Daçiq. Auditori Shtetëror Serbi kishte ngritur dilema rreth një numri të tenderëve të nënshkruar me Vlatacom. Një skandal tjetër ku përfshihej Cizelji ishte çështja e korrupsionit në Bankën Kombëtare të Serbisë, ku përfshihej edhe ish-shefi i kabinetit të Ivica Daçiq, Branko Lazareviç. Cizelj qëndron pranë Ivica Daçiq në vazhdimin e ‘diplomacisë kofer’ kundër Kosovës në të gjithë botën. Cizelj është përfshirë drejtpërsëdrejti në Suriname, Komore, Lesoto, Burundi, ku ka korruptuar zyrtarë të lartë në këto vende për të lëshuar nota verbale të rreme dhe ka mbyllur marrëveshjet e armëve me diktaturat që blejnë armë serbe dhe teknologjinë e prodhuar nga Vlatacom. Kohët e fundit, ai u takua në kompaninë e tij me ministrin e Jashtëm të Venezuelës, i cili vizitoi Beogradin në një kohë kur qeveria e tij nuk njihet nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare. Vlatacom nuk është vetëm një rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe pozitën e saj ndërkombëtare por gjithashtu si një qendër për regjimet jo demokratike për të blerë pajisje ushtarake, duke përfshirë Venezuelën që është në një betejë të madhe me bashkësinë ndërkombëtare mbi situatën e të drejtave të njeriut në vend”, thuhet tutje reagimin e MPJ-së për këtë rast.

Lidhur me veprimet e Vladimirit ka shkruar sot edhe CNC, medium në Afrikën Qendrore që thotë se pas disa hulumtimeve ka kuptuar se ministrja e Jashtme Sylvie Baipo Temon ka pranuar rreth 300 mijë euro për të çnjohur Kosovën. Sipas raportimit takimi mes Temonit dhe Vladimirit kishte ndodhur në mes të muajit korrik dhe Vladimir kishte ofruar 300 mijë euro për të siguruar letrën për çnjohje. Kjo letër ishte prezantuar në fund të korrikut nga Daçiq që tha se Afrika Qendrore ka hequr njohjen për Kosovën.

---- ----
----
----- ----
-----