Ballina Lajme nacionale Mjeku i QKUK-së flet për gjendjen e 19 vjeҫarit që mori lëndime...

Mjeku i QKUK-së flet për gjendjen e 19 vjeҫarit që mori lëndime të rënda mbrëmë

27
SHPËRNDAJE

Pas një ngjarje të rënë, është lënduar mbrëmë një 19 vjeҫar.

Një person i moshës 19-vjeçare ka pësuar lëndime të rënda trupore, si pasojë e goditjeve që i ka marrë mbrëmë rreth orës 22:00 gjatë një përleshjeje në rrugën “Ahmet Dërguti” në lagjen Arbëria.

Ai i është nënshtruar një operacioni të komplikuar mbrëmë në klinikën Abdominale të QKUK-së.

Ndërkohë një i lënduar tjetër nga përleshja është lëshuar për në shtëpi pas kontrolleve mjekësore.

Në përleshje ishin përfshirë edhe shtatë persona, pesë nga të cilët u prangosën nga Policia e Kosovës.

E gjithë ngjarja ndodhi për motive të hakmarrjes.

U rrahën me shkopinj, por nuk i kursyen as mjetet e mprehta.

Gjashtë persona u përfshinë mbrëmë në një përleshje masive pas orës 22:00 në njërën nga lagjet e Prishtinës.

Nga përleshja, dy persona përfunduan në QKUK.

Një 19-vjeçar ishte në rrezik për jetën. Ai u godit në pjesën e barkut dhe të mushkërive. 19-vjeçarit iu lëndua edhe një pjesë e lukthit.

Ai iu nënshtrua mbrëmë një intervenimi urgjent kirurgjik, pavarësisht gjakderdhjes së madhe, ai u arrit që të mbahej në jetë nga mjekët e QKUK-së.

Detaje për gjendjen e 19-vjeçarit ka dhënë mjeku abdominal, Ferat Sallahu. “Po, mund të ju konfirmojmë se mbrëmë është pranuar një pacient-mashkull i moshës 19 vjeç. Ai ka pasur lëndime në gjoks e në bark.

Si pasojë e therjes, atij i është lënduar një pjesë e mushkërive, diafragmës dhe një pjesë e lukthit”, thotë doktori.

Sallahu thekson se si pasojë e gjakderdhjes i riu ka luftuar me jetën.

“Ka pas rrezikshmëri për jetë. Pas intervenimit gjendja shëndetësor i është stabilizuar. Ai gjendet ende në spital. I është nënshtruar një intervenimi kirurgjik pas therjes që ka marrë nga një mjet i mprehtë”, thotë mjeku që e ka trajtuar 19-vjeçarin. E sipas Policisë së Kosovës, e gjithë kjo ngjarje ka ndodhur si shenjë hakmarrjeje.

“Janë prangos pesë persona të dyshuar meshkuj K/Shqiptar pasi që, të njëjtit së bashku edhe me dy persona tjetër të dyshuar meshkuj K/Shqiptar-në ikje, dyshohet se për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, me qëllim hakmarrje kanë goditur dy viktimat meshkuj K/Shqiptar me mjet të mprehtë, duke u shkaktuar lëndime trupore. Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, dhe sipas mjekëve njëri nga viktimat ka lëndime më të rënda trupore”, thuhet në njoftim.

Njësitet policore lidhur me rastin kanë konfiskuar një veturë si dëshmi, të cilën e kanë përdorur të dyshuarit.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

Rasti është duke u hetuar.

-----